


Jeta në bord
Duke studjuar librin “Betejat e Mëdha Detare”, në periudhën e flotave me vela, numri i madh i ushtarëve dhe marinarëve të ngarkuar në anije krijonte vështirësi serioze. Së pari, për strehimin e tyre: ata ishin vendosur në hambarët e ndotur, shpesh me erë të rëndë, me pak ajër dhe pa asnjë lloj shtrati apo dysheku, gjë që i detyronte të flinin mbi dërrasat e ftohta, duke duruar përvëlimin e vapës, për shkak të stinës. Herë pas here, për nevoja jetike dhe për të marrë frymë pak, ushtarët ngjiteshin në kuvertë, ku me numrin e tyre pengonin manovrat e marinarëve në hapësirën e ngushtë. Kështu lindnin përplasje e zënka. Ato nxiteshin edhe nga përçmimi i njerëzve të detit ndaj atyre të tokës, të cilët i konsideronin parazitë përtacë, që duhej ushqyer pa bërë asgjë.
Kjo, sigurisht, nuk i përfshinte oficerët e ushtrisë dhe “zotërinjtë”. Ata kishin kabina shpesh edhe të veçuara, shërbëtorë në dispozicion dhe mund të shëtisnin lirshëm kudo, të ndjekur nga shërbëtorët e tyre të veshur me pompozitet për të treguar përmes rrobave pozitën e lartë, duke u drejtuar me përçmim kujtdo që nuk e konsideronin të barabartë.
Të shohim çfarë hante ekuipazhi i anijeve në flotën spanjolle gjatë një periudhe lundrimi të parashikuar për gjashtë muaj:
«Çdo njeri kishte të drejtë në një okë e gjysmë biskotë të thatë (galletta) në ditë, ose dy okë bukë të freskët; të dielave dhe të enjteve, gjashtë onsë mish derri të kripur dhe dy onsë oriz; të hënave dhe të martave, gjashtë onsë djathë dhe tre onsë fasule ose qiqra; të mërkurave, të premteve dhe të shtunave, gjashtë onsë ton, merluc apo kallamar të tharë, ose pesë sardele me tre onsë fasule ose qiqra, një ons e gjysmë vaj dhe një çerek pinte uthull.
Urdhra të veçantë kishin të bënin me verën. Racioni ditor përbënte afërsisht një shishe të sotme, përveç verës së Kandias (Kretës), e cila ishte më e fortë dhe duhej përzier me dyfish ujë; për këtë arsye, duhej shpërndarë vetëm një pintë (rreth gjysmë litri). Duhej gjithashtu të konsumohej fillimisht vera e Kondados dhe e Lisbonës, pastaj ajo e Lemegos dhe e Monzonit. Sherry dhe Candia, që e duronin më mirë transportin, ishin për konsumim të fundit.
Sa për racionin e ujit, ai ishte tre pinte në ditë për çdo përdorim — për gatim, për të pirë dhe për t’u larë, nëse ndokush kishte dëshirë ta bënte këtë.»
Tani të shohim çfarë hante ekuipazhi i anijeve në flotën angleze gjatë një periudhe lundrimi të parashikuar për gjashtë muaj:
“Çdo marinar anglez kishte të drejtë çdo ditë për një galon birrë dhe një okë biskotë të thatë (galletta); të dielën, të martën dhe të enjten, për dy okë mish viçi të kripur; të mërkurën, të premten dhe të shtunën, për një të katërtën e një peshku stoccafisso ose një të tetën e peshkut të tharë, përveç djathit dhe gjalpit; të hënën, gjithashtu, për një okë mish derri të kripur me bizele.
Po kush ishin pasojat e një diete të tillë.
Po t’i krahasosh menutë që ishin vendosur në të dyja flotat nuk kishte shumë ndryshim apo më e mirë ajo angleze se ajo e spanjolle.
Nuk ishte ajo një kohë kur njerëzit shqetësoheshin për shkencën e ushqimit. Mjafton të shikosh menutë e të dy flotave për të kuptuar se nuk shpërndahej kurrë asgjë e freskët. Mishi ishte gjithmonë i tharë ose i kripur, peshku gjithashtu, dhe përzgjidheshin dukshëm llojet më të rënda — derri ose stoccafisso (peshk i tharë). Asnjëherë asnjë shenjë perimesh, dhe pasojë e kësaj ishte përhapja e shpeshtë dhe masive e skorbutit, që herë pas here shfaroste flotat e asaj kohe.
Si rezultat i atyre dietave që përdornin ushtarët dhe marinarët në anije për një kohë të gjatë, kishin edhe këto efekte anësore si: kolitet, dizenteria, me pasojat e imagjinueshme, për shkak të mungesës totale të ilaçeve dhe të vendeve higjienike në bord — përveç disa fuçive ose kovave që zbrazej në det.
Njerëzit vuanin nga fryrje barku, gazi, erëra të këqija; dhe siç çliroheshin kudo nga këto shqetësime, ajri në hambarë ishte i padurueshëm. Mbretëronte një erë e tmerrshme, ndaj duhej të mësoheshe me të, derisa të mos e ndjeje më.
Situata rëndohej edhe më shumë nga zakoni i ekuipazhit për të mos u larë. Kjo zakonshmëri përfshinte në mënyrë të barabartë marinarët, oficerët dhe “zotërinjtë”. Uji ishte i pakët dhe duhej të përdorej kryesisht për të pirë dhe për të gatuar, por edhe sikur të kishte bollëk, zor se dikush do ta përdorte për larje më të gjera se një freskim të fytyrës.
Fisnikët dhe kapitenët e mëdhenj në bord shpërndanin me bollëk parfume dhe esenca aromatike, bënin të kriheshin për orë të tëra, dredhonin mustaqet me pomada ekzotike — por kurrë nuk do të guxonin të lante trupin.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, mund të imagjinohet lehtë çfarë ere mbretëronte në bordin e çdo anije“!