Ju falem o mrekulli të vendlindjes
Nga Sakip Cami
(Kushtuar bukurive natyrore të Dibrës)
Të falem ty Korab edhe ty Drin
Perëndia ju krijoi për Shqiptarinë
Korabi me kryet në re
Flet me Perëndinë dhe na tregon ne
Me zërin e tij siç flasin malet.
Kur je në Korab largohen dhe hallet
Kur je në mal të zgjerohet gjoksi
Në majë të malit rrjedh gurra e ftohtë
Në majë të malit, liqeni i Dhoksit
Në majë të malit liqenet e Lurës
Në majë të malit liqenet e Kacnisë
Në majë të Homeshit, në fshatin Bllacë
Lutu o njeri te vend i perëndisë
Në majë të malit, bjeshka e Ilnicës
Nga mali i lartë Velivar
Rrjedh një ujvarë që pakkush e ka parë
Dibra e Madhe qytet shekullor
Nuk njohu pashë, nuk njohu vezir
Dibra e Madhe bukuri e rrallë
Lumi i Radikës, liqeni bën dritë
Mali Deshat qeleshe e bardhë
Dëborën e mban në çdo stinë
Këmbët shtrin qyteti,i freskon në Dri
Shërimin e gjen pranë në Banisht.
Shëtitorja e blirëve në Peshkopi
Me vajza të bukura e djem si flori
Kush e ka parë s’e harron kurrë
Kthehen, shkojnë dhe prapë vinë
Nuk e harron kush Peshkopinë.
Përmbi Peshkopi luginë e shërimit
Me ujra termale e bukuri magjepse
Aty ku natyra e shëron njerinë
Aty ku Zoti e mëkoi me urtësinë.
Drini gurgullues rrjedh në luginë
Aty ku unë linda dhe kam shtëpinë
Aty ku u rrita, kalova fëmijërinë
Eh Drin o Drin sa vuajtje kalove
Sa shumë donin të të kishin të tyre
Nga vuajtjet dhe luftërat edhe u nxive
Por për mua mbete kristal.
Kush tha se Bulqiza është qytet i acartë
Pse ngriu bualli në dimër në një natë ?
Bulqiza ka njerëzit më zemërartë
Shkrihen për mikun e shtëpisë
Me ato që kanë me raki e me gjizë
Me zemrën në sofër, me këngët e trimërisë
Stebleva qëndron në skaj
Me liqenjtë malorë
Me Draganin e Kallkanin
Me malet me borë
Ftesë për turistë e skiatorë.
Kush s’ka parë Lurën,
S’ ka parë Shqipërinë
Thotë Fishta i Madh
Dymbëdhjetë liqenj mbi male rrinë
Si është e mundur ? Pyetni Perëndinë
Këmbët kam freskuar në ujin tënd, Drin
Kur kisha vapë edhe pak mërzi
Sytë i kam larë në ujin tënd pasqyrë
Dhe dua ti laj prapë
Por jam larg, lumi im
Jam larg, mali im, jam larg
Por largësia dhe mosha
nuk më ndal të shkruaj, nuk më ndal
Nuk e di përse uji yt , Drin
Më shëron çdo plagë
Nuk e di përse ajri yt, Korab
Më ngre në qiell dhe më ul prapë
Ju falem në gjunjë o mrekulli të vendit tim.
