
Nikollë Loka
Kapërcej pragun…
Mbyll derën dhe dal, kapërcej pragun sa për shtatë brez,
zjarrin e lë ndez,
nga pas e shoh oxhakun,
tymin që më ndjek,
litarin që më tërheq,
dhe kujtoi plakun,
malin që mbeti atje,
betohem mbi një grusht dhé.
Kthehem çdo natë në ëndrrat që s’i pashë,
pse ika dhe i lashë!
Hap derën dhe hyj, kapërcej pragun sa për shtatë brez,
zjarrin e gjej ndez,
ende nxjerr tym oxhaku, flakëron gjaku,
bëhet hi çdo mungesë,
vjen agu,
si një mirëseardhje, si shpresë.
Matem me hijen e mëngjesit të parë,
të njeriut pelegrin,
që si pendestar,
dritë e terr kapërdin…
Duhet t’i kuptosh të gjitha gjuhët
Shushurimën e ujit duhet ta ëndërrosh,
e uturimën e ajrit që të fton të fluturosh,
duhet të kërkosh një tjetër gjendje,
një tjetër shpirt, një tjetër mendje.
Duhet ta kujtosh vajtimin e aheve dhe bredhave,
kujën e mështeknave fletëarta,
si një elegji për shpirtrat e të vdekurve,
si një brengë për fatet e të gjallëve.
Duhet ta njohësh fëshfërimën e barit,
që era ta përcjell nëpër këmbë,
mos t’i frikësohesh gjuhës së gjarpërit,
as kur mërmërit nëpër dhëmbë.
Duhet ta kuptosh parandjenjën e njeriut,
atë fjalën që nuk e tha kurrë,
t’ia njohësh mendjen dreqit e të birit,
para se të kapërcesh mbi një urë.
Verdhë-verdhë si limon
Në kaltërsi
frymëzimin s’mund ta ngjyej,
qielli i kaltër,
thjeshtë një iluzion,
kaltërsi e syve tu
zhgënjimi im i verdhë,
verdhë – verdhë si limon.
Shira dhe ëndërra të kaltra
kurr nuk pashë,
në burime vjeshte
që veç dëshira zgjojnë,
në kroje m’u shfaqe ti
vegimi im i verdhë,
verdhë-verdhë si limon.
Qiell s’u bënë sytë e tu,
kaltërsia mbeti thjeshtë një iluzion,
me të kaltër s’po ngjyroset dot
zhgënjimi im i verdhë…
Verdhë-verdhë si limon.