Gëzim Llojdia

1.
Këtë mëngjes të ftohtë, nën një qiell gri që ende mbante shijen e shiut.Dhe stina erdhi e na gjeti të mbështjellë me dëborë. Dimri, kjo stinë e mërzitshme dhe e menduar, por gjithnjë e aftë të zgjojë kujtesën, më gjen të përkulur mbi faqet e gazetës “Drita”.
“Drita” ishte më shumë se një gazetë, ishte një shpresë e palosur në letër. Po ta mendosh, kahu i lindjes agimi dhe kahu i shuarjes perëndimi përkundeshin brenda saj, si një frymëmarrje e gjatë mbi këtë tokë të etur për dije dhe fjalë.
… Data në krye të faqes shënonte: 23 maj 1967.
Këtej nga ne ishte dimër.
I ashpër, i heshtur, me frymën e veriut që ngurtësonte çdo mendim. Dhe, papritur, si një shkëndijë e vogël kujtese, më erdhi në mend një poezi e imja:
I ftohtë është veriu!
Moti gjithnjë me ngricë.
Andej filluan të mbjellin grurin,
Kjo tokë dunicë…
Një titull domethënës më ndali vështrimin: “25 Maj Dita e Poezisë”. Poeti i asaj kohe ishte një djalosh i ri, me sytë plot dritë dhe zemrën të mbushur me frymëzim rinor. Si gjithë të rinjtë, jetonte mes ëndrrës dhe fjalës.
Ishte student dhe, bashkë me Klito Fundon, kërkonin një shkrimtar të ri, por tashmë me emër. Ai quhej Kadare, dhe ishte redaktori i gazetës letrare-artistike të kohës .Dhe një emër që po ngrihej si zë i fortë mbi heshtjen.
S.Bejko, ndërkaq, ishte një mit për mua, një figurë që rrezatonte fjalë dhe përvojë. Ilirjana na kishte miqësuar në një darkë të thjeshtë me pica, në promovimin e botimit të saj, rreth njëmbëdhjetë vjet më parë. Aty, mes bisedash dhe kujtimesh, hasa poezinë “Diej dhe këngë”, dhe vargjet u hapën si një dritare drite:
mëngjese të pastra si lulebore,
gëzimi im ndezur në purpur,
dhe djersë nga shtrëngata jote,
dhe këngë, diej edhe flamurë…
Gjezdisa andej-këtej nëpër faqet e gazetës, i përhumbur mes vargjeve, si në një udhëtim ku fjala bëhet strehë dhe kujtesa këngë.
2.
Dua të ndalem te poezia “Kënga e xha Canes”. Apo s’fillonte vallë ,“i shkreti varg” me atë këngë kaq të bukur popullore, që vjen si jehonë e lashtë e malit dhe e fushës, kushtuar xha Canes , figurë që lëviz mes këngës dhe historisë.
…“Vjen xha Cania me fustane,
me krrabë e me jatagane…”
Poeti hedh vargun e parë si një hap në tokën e kujtesës.
Kur më panë brigjet e vendit të lindjes dhe tej,
kur dola në ara, në dasma, në lëmë,
si vrapon prej erës floknaja e kallinjve,
vraponte drejt meje e dhembshur një këngë…
..Kënga lind pikërisht ndër brigjet e vendlindjes së tij. Por nuk mbetet aty. Ajo shtrihet më tej, si një frymë që kalon kufijtë e një krahine.
Arat dhe lëmenjtë janë hapësira të përbashkëta për popujt që jetojnë me tokën. Aty, ku duajt e grurit stivoheshin dhe krahu i njeriut ose rrotullimi i gomarit kryente ritin e lashtë të shirjes.Aty lindte edhe kënga.
Në jug, erërat e mara ishin bereqet ,thoshin plakat. Ato pastronin grurin nga egjrat. Ndanin shapin nga sheqeri, thotë populli.
Në lëmë ishin vashat me kanistra buke, djemtë azganë me mustaqe të djersitura.
Dhe e qeshura dhe kënga merrnin dhenë.
Dhe, siç e thotë poeti, “vraponte drejt meje e dhembshur një këngë” një këngë që nuk është vetëm tingull, por jetë.
Vijon strofa e dytë:
…Seç ishte një këngë, këngë e asaj ane,
nga brigjet, nga pyjet, kopshtet me bajame.
Po vjen xha Cania që larg me fustane,
me kalë të bardhë, krrabë e jatagane…
…Këngët lindin, siç e thotë edhe Kadare në studimin e tij “Autobiografia e këngës”, në dasma, në kullota, në lëmenj, atje ku gruri dhe bagëtia mbajnë gjallë jetën.
Por kënga e xha Canes duket se vjen nga një lëmë i madh.Atje ku është nxjerrë buka dhe fara e ardhshme e bujkut lab.
Tokat e pakta, brigjet, pyjet e jugut, krijojnë një atmosferë të dendur jete e misteri. Përtej pyjeve shfaqen shtëpitë me rrasa guri, kopshtet me bajame, dhe në sfond, si figurë epike, shfaqet xha Cania.
Xha Cania larg, me fustane, si një komit, mbi kalë të bardhë, me krrabën e bariut dhe jataganin e luftëtarit.
Në strofën e tretë, poeti zbret më thellë në kohë:
…Në rrudhat e kohës dhe myshku i lashtë,
kasollet e fshatit, murishte e varre,
këndojnë për Canen, ushtar mjekërbardhë,
me krrabë bariu e pallë të madhe…
Këtu mësojmë më shumë për banorët lebërit e asaj kohe…
Fshati i xha Canes është një fshat me “rrudhat e kohës”. Kodra, bregore, lashtësi të veshura . Kasollet e rrethuara me murre të vegjël, varret në heshtje, tregojnë një botë të vjetër, të ndërtuar për mbijetesë.
Plaku Cane nuk është thjesht bari.Por ai është edhe ushtar. Ai mbron vendin e tij nga hordhitë që ngjiteshin maleve për plaçkitje e vrasje.
Jo rastësisht fshatrat tona janë ndërtuar rrëzë maleve.Sipas njw sentence të lashtë.
– Toka për bukën, mali për bagëtinë, lartësia për mbrojtje.
Xha Cania ishte një prej atyre burrave që ruanin tufën, ushqenin familjen në kohëra të vështira dhe mbanin armën pranë, sepse rreziku ishte gjithnjë i pranishëm.
Jatagani nuk ishte zbukurim, por domosdoshmëri, për të mbrojtur tokën, bagëtinë, jetën e fituar me djersë e sakrificë.
Në strofën e katërt poeti shkruan:
-Mbuloheshin arat nga flokët e blerta,
më pushtonte kënga, këngë e kësaj ane.
Eh, ky burrë ikte, linte dhen e shtjerra,
dhe armiq me dorë therrte nëpër male…
Këtu kënga bëhet thirrje, bëhet kujtesë dhe trimëri. Bariu kthehet në luftëtar, kënga, në kronikë të gjallë të mbijetesës shqiptare.
3.
Ishte kohë lufte. Dimri sapo kishte lëshuar llohrat e tij tw fundme dhe pranvera kishte nisur të merrte frymë mbi tokë. Gjethja ishte buisur, tërfili çelte, lulëria shpërthente kudo.
Fshatrat e jugut, si çdo pranverë, mbuloheshin me të gjelbër, dhe toka dukej si një parajsë e heshtur, e bekuar nga natyra. Por mbi këtë bukuri rëndonte hija e luftës.
Poetiynë në këtë rast përmes këngës që kishte dëgjuar ndoshta në rininë e tij, na e thotë thjesht dhe prerë:
“Eh, ky burrë ikte, linte dhen e shtjerra, bariu…”
Sa herë labit të shkretë i binin taksirat armiqtw mbi kokë, ai merrte pallën dhe i dilte armikut këmba-këmbës. Poshtë, në stan, mbeteshin bagëtitë dhe të vegjlit e tyre që prisnin çobanin. Jeta e përditshme pezullohej, mbrojtja e tokës dhe e nderit bëhej ligj.
Nuk dua të ndalem te veglat letrare apo figurat e tjera dua të ec në shtratin ku ka ecur poeti.
Sepse si xha Cania ka pasur shumë lebër burra që sot janë zemra e çdo kënge të vjetër labe, në çdo fshat të jugut.
Në strofën e fundit, që është edhe epilogu i kësaj poezie, autori shkruan:
“Po dikur kish rënë larg stanit të dhenëve,
nën qefinin e barit,
nën klithma të burive,
dhe nga shpirti i truallit seç u ngrit kjo këngë,
si brigjet e heshtur përpara breznive…”
Kënga ngrihet për trimat. Xha Cania ishte një i tillë. Burrë lab, patriot, trim që i ndiqte hordhitë këmbë pas këmbë. Me pallën e vet luftoi deri në fund. Kur shpata e preu dhe gjaku i tij u derdh mbi tokën që e lindi, e rriti dhe e bëri trim, xha Cania u shua atje larg, në përballje me armikun.
Poshtë tij ishte stani. Bagëtitë blegërinin, të vegjlit thërrisnin mëmat e tyre. Gjithçka tingëllonte si një vajtim i lashtë. Dhe në ligjërimin lab, pak a shumë kështu thuhet:
“Blegërin, kërkon çoban,
korba çeço…”
Qefini i xha Canes u bë bari i tokës së vet. Aty u mbështet kur u rrëzua, i larë në gjak. Vuri pëllëmbën e dorës mbi dhe, dhe mbështeti kokën.
-Atdheu nuk vdes, edhe në vdeksha unë.
Shtrati i trimave shqiptarë ka qenë gjithnjë toka e tyre. Dhe për këtë trim, kënga nuk mund të mungonte. Nga shpirti i truallit, nga toka e miteve, legjendave dhe historisë, u ngrit kënga. Për xha Canen binin buritë dhe vajtimi lab.
Nuk kishte gazeta të kohës për ta rrëfyer historinë e tij. Gazetat e huaja e fshinin trimërinë e këtij burri. Por ai nuk humbi. Shpirti i tij u shua, por kënga e bëri të pavdekshëm. Edhe pas treqind vjetësh, ai është ende aty xha Cania, i tëri me fustanellë, me krrabë e jatagane.
4.
Poeti , në shënimet e tij “Disa kujtime me Kadarenë”, në 85-vjetorin e tij, rrëfen edhe historinë e krijimit të poezisë për xha Canen.
…Kadareja banonte në një dhomë me aneks. Bënte reportazhe për gazetën. Në rreth e vlerësonin, fjala e tij dëgjohej. I kërkova t’u thoshte që të më lironin nga detyra e drejtorit të shkollës. Letërsia kërkonte kohë, kërkonte përkushtim të plotë.
Pas një jave, kur po kthehesha nga fshati Syzez, më tha se porosia ime nuk kishte ecur. E kishin pyetur: pse ndërhyn që të shkarkojmë një drejtor shkolle? Mos nuk është i aftë? Kadareja ishte përgjigjur: miku im është shumë i aftë, por ai do të bëjë letërsi, dhe kjo kërkon kohë.
– Ashtu? – i kishin thënë. – Nëse është i aftë, le t’i përballojë vështirësitë. Revolucioni i do njerëzit e aftë.
-Duhej të kisha thënë që je i pazoti, – më tha Kadareja i zhgënjyer.
-Por nuk mund ta thoja.Në kafe, më pyeti:
-Çfarë ke shkruar?
-Një poezi për një bari që shkon në luftë, vdes dhe kthehet prapë të ruajë bagëtitë e tij.
– Kjo është tema ime, – më tha. – Ma ke marrë.
U habita. Nuk i kisha lexuar kurrë një poezi të tillë.
Unë botova në “Drita” poezinë “Kënga e xha Canes”. Një javë më pas, Kadareja botoi poezinë e famshme “Kënga e ushtarëve të vjetër”:
“nga lufta vijmë, në luftëra shkojmë,
dhe tjetër fat s’kërkojmë ne.”
Dy këngë, dy zëra, një fat i përbashkët. Bariu dhe ushtari, i gjalli dhe i rëni, që kthehen sërish në detyrë. Letërsia shqiptare, në ato vite, dinte të fliste me zërin e këngës për gjëra që historia zyrtare i kalonte në heshtje. Dhe kështu, përmes një poezie, xha Cania u bë pjesë e një universi më të madh. Atij të kujtesës kolektive, ku fjala mbijeton edhe kur njeriu është shuar.Kënga nuk është zë. Ajo është kujtesë që ecën. Është trualli që flet, kur njerëzit heshtin. Xha Cania u shua në barin e tokës së vet, por nuk u varros në harresë. Qefini i tij u bë këngë.
Nëpër breza, bariu me krrabë e jatagan vazhdon të zbresë nga malet, i thirrur nga buritë e largëta. Dhe sa herë këndohet një këngë labe, sa herë toka merr frymë pas shiut, ai kthehet sërish i gjallë në varg.
Kënga e xha Canes është më shumë se poezi,pra është mënyra jonë për të mos vdekur. Sepse njeriu ikën, por kënga mbetet. Dhe aty ku mbetet kënga, trualli ka ende zemër.