Kënga Labe-Albert Habazaj

Albert Habazaj

Që kur lindi lab i parë

( Nuk dihet se kur ka lindur),

Në hall të tij – faqebardhë

Me këngë labe është rritur.

Që kur lindi lab i parë

Në krahë të tij labëresha,

Kënga rrodhi si ujëvarë

Gurrë shpirti, siç e desha.

Në këngë u ndritën gëzimet

Me çfarë kishin në vatër,

Me këng’ labe qanë hidhërimet

Edhe me malet u matën.

Kënga si qiri në vatër

Kënga në shpirt si floriri,

Pika e ujit të pastër

Qumështi i bardhë i gjirit.

Kënga që më mësoi gjyshja

Më ngjan si shqiponjë mbi male,

Nëna, baba, … dallëndyshja

Më rritën me këngë labe.

Ku ka rrjedhur, do pikojë [ref.]

Kënga mjaltë,

Kënga labe  – gojë më gojë

Merr uratë

E jetë të gjatë!

Vlorë, 18.10.2025