
prozë poetike nga Ferit Toma
Ku janë trojet e mia?
Nuk i mat me kufij të vizatuar mbi letër, as me vula shtetesh që ndryshojnë me kohën. Trojet e mia shtrihen përtej hartave, aty ku fjala shqip merr frymë dhe ku zemra rreh me të njëjtin ritëm.
Janë në veri e në jug, në lindje e në perëndim,
në çdo cep ku gjuha ime u përcoll brez pas brezi si amanet i shenjtë. Janë në malet e larta që ruajnë kujtesën e besës, në fushat e gjera ku djersa u bë bukë dhe buka u bë jetë. Janë në brigje deti ku kënga u përzien me dallgën dhe në luginat ku historia u shkrua me sakrificë.
Trojet e mia janë në qytete të lashta me kalldrëm, ku hapat e të parëve ende dëgjohen në heshtje. Janë në kështjella që s’u dorëzuan, në oxhaqe që nxorën tym edhe në ditët më të vështira, në dritare ku pritja u bë mënyrë jetese. Janë në Shkodër e në Janinë, në Prizren e në Tetovë, në Ulqin e në Preshevë, në Çamëri e në çdo vend ku fjala shqipe u ruajt si thesar.
Janë në Kosovë, ku toka flet me zë të fortë, ku gjaku i derdhur u bë themele lirie. Janë në Maqedoninë e Veriut, ku shqipja u mbajt gjallë mes sfidash. Janë në Mal të Zi, ku deti dëgjon këngë shqipe. Janë në Luginën e Preshevës, ku shpresa nuk u shua kurrë. Janë në Çamëri, plagë e hapur, por me kujtesë të pashuar.
Trojet e mia janë edhe përtej detit, atje ku mërgimtari e mbarti atdheun në valixhe. Janë në Evropë, në Amerikë, kudo ku një fëmijë mëson fjalën e parë shqip dhe një nënë e këndon ninullën me mall. Sepse trojet nuk janë vetëm tokë — janë gjuhë, kujtesë dhe identitet.
Janë në Çermenikë, në Orenjë time, rrënja nga ku nis udhëtimi im shpirtëror. Aty ku çdo gur ka emër dhe çdo shteg ka histori. Aty ku mësohet dashuria për atdheun, që më pas shtrihet si dritë në të gjitha trojet shqiptare.
Ku janë trojet e mia?
Janë kudo flitet shqip,
kudo ruhet besa,
kudo nderohet kujtimi dhe lind shpresa.
Trojet e mia jetojnë sa herë shqipja shqiptohet me zemër,
dhe nuk do të humbin kurrë
sa kohë që ne i mbajmë gjallë në shpirt.
Marrë nga libri ” Atdheu si Nëna”