Mira Zaho Mëhilli

Kur pozitivisht mendon,
agimet e ditës së re,
mjedisin e lodhur,
nga rrebeshi i një nate më parë,
me dritë optimizmi veshin.
Kur pozitivisht mendon,
drobitja prej poteres uturitëse
të pikave të shiut, strehëzave
mbi dritare e ballkone,
pak nga pak zë e shuhet.
Kur pozitivisht mendon,
klithmat kërcënuese
të egërsirave të ringjallura,
oshëtimave thyhen,
përreth teje, pak nga pak,
paqja fillon të mbretërojë e ti,
lehtësisht ditës së re frymon.
Kur pozitivisht mendon,
ligështimin prej idhësisë së negativitetit,
që shpirtrat mëkatarë,
zellshëm përcjellin,
në grushtin e mirësisë mbledh,
përtej, pas shpinës flak.
Kur pozitivisht mendon,
dufit të xhelozive mjerane,
që dëshpërueshëm,
shpirtrave të vet urrejtje mbjellin,
barriera shpërfillëse,
paqeje dhe qetësie u ngre.
Kur pozitivisht mendon,
tisi i mjegullnajës hileqare,
që tinëzisht kërkon të të mbulojë,
dëshpërueshëm tretet
e ti kthellësisë së kaltërsisë
së det e qiell bërë një,
qetësisht i gëzohesh.