Në fundin e errët të t’ vjetrit sënduk
Harruar prej kohësh rri letër verdhake
Një dorë harraqe e ka mbledhur shuk
Gjethnajë e ngjeshur kujtimesh vjeshtake.
Ashtu e pashpirt,mbledhur, duket sikur
Asnjë ndjenjë e mesazh s’ ka të thotë
Si urë dy zemra ajo lidhte dikur
Sot, gërmat e saj ka zbërdhylur nga lotët.
Mbi shkronja ku hijedritat rrëgëtijnë
Të shuara vijat, të mekura fjalët
Sahatet e zgjimit të emocioneve mpirë
Me trena ngjasojnë prej shinave dalë
Si gjethe dhe ndjenjat qëndrojnë lënduar
Dhe makthi i xhelozisë i heshtur gjezdis
Një vjeshtë cfilitëse letrës rri shtruar
Që shpirtin e kuq ia zverdh dashurisë.