Teuta Sadiku

Lexim kritik i poezisë “Në moshën e gjethes” të Fatbardha Xhani Myslimaj
Poezia “Në moshën e jetës” e poetes Fatbardha Gjani Myslymaj ndërton një reflektim të thellë mbi kohën, trupin dhe përvojën femërore, duke e konceptuar jetën jo si një progres linear, por si një cikël organik ekzistencial. Autorja, e njohur për krijimtarinë e saj poetike të përmbledhur në tre vëllime “Lot që s’rjedhin”, “Se koha është aty “dhe” Unë jam grua “ artikulon në këtë poezi një subjekt lirik të përshkuar nga maturia dhe vetëdija autobiografike.
Analiza e kësaj poezie është strukturuar mbi katër shtylla kryesore:
së pari, zëri poetik femëror dhe vetëdija autobiografike;
së dyti, metafora organike e jetës si strukturë diskursive;
së treti, heteroglosia e brendshme e kohës, moshës dhe rolit;
së katërti, gjuha e thjeshtë si zgjedhje estetike dhe etike.

Zëri femëror në këtë poezi nuk paraqitet si deklaratë ideologjike apo si patos ,përkundrazi si përvojë e jetuar. Subjekti lirik nuk shpall identitetin e saj, por e dëshmon atë përmes trupit dhe biologjisë së kohës. Në poezinë “Në moshën e gjethes”, feminiteti artikulohet si rrëfim ekzistencial, ku fazat e jetës përfaqësohen përmes cikleve natyrore: sythi, lulja, fruti dhe gjethja. Këto nuk janë thjesht figura poetike, por nyje semantike që mbartin funksione simbolike të dhënies, përhapjes, ushqimit dhe mbijetesës.
Metafora organike e jetës shërben si boshti strukturor i poezisë. Jeta konceptohet si një cikël dimëror, ku çdo fazë është e domosdoshme dhe e ndërvarur nga tjetra. Sythi përfaqëson potencialin dhe fjalën si mundësi; lulja shpërndarjen dhe komunikimin; fruti përvojën dhe shijen e jetës; ndërsa gjethja e zverdhur, por ende e gjallë shënon stadin e lëkundjes dhe frikës, jo të vdekjes. Pikërisht këtu qëndron kulmi emocional i poezisë: gjethja nuk ka rënë ende, por jeton në ankthin e rënies.
Ndryshimi i tonalitetit në poezi është një nga pikat më të forta të tekstit. Tri strofat e para karakterizohen nga siguria, afirmimi dhe dhënia, ndërsa strofa e fundit sjell pasigurinë dhe frikën. Kalimi nga dhënia e plotë drejt frikës së humbjes krijon një tension të brendshëm që e bën poezinë thellësisht njerëzore. Frika për të rënë nuk është vetëm biologjike, por edhe sociale, kulturore dhe ekzistenciale.
Në aspektin diskursiv, poezia shfaq një heteroglosi të brendshme në kuptimin bakhtinian. Edhe pse flet në vetën e parë, subjekti nuk është homogjen. Brenda “unë”-it bashkëjetojnë disa zëra: sythi si zëri i potencialit femëror, lulja si zëri i gruas aktive, fruti si zëri i nënës dhe gjethja si zëri i gruas së pjekur. Kjo shumësi rolesh dhe kohësh e bën poezinë një hapësirë dialogu të brendshëm.
Gjuha e poezisë është e thjeshtë, por jo naive. Autorja shmang ornamentet e tepruara, metaforat e ndërlikuara dhe retorikën e zhurmshme. Kjo thjeshtësi është një zgjedhje estetike dhe etike, që e bën poezinë të komunikueshme dhe emocionalisht të kontrollueshme. Poezia nuk synon të impresionojë, ajo dëshmon.
Mungesa e konfliktit të jashtëm nuk përbën dobësi, por përforcon natyrën introspektive të tekstit. Fatbardha Xhani Myslimaj lexohet si poete e jetës së brendshme femërore, si një poete e kohës dhe e maturisë ekzistenciale. Krijimtaria e saj ndërton një poezi të qetë, të , ku zëri femëror artikulohet përmes metaforave organike dhe një diskursi të thjeshtë, të ngarkuar me përvojë jetësore.
“Në moshën e gjethes"
Fatbardha Xhani Myslimaj.
Në moshën e sythit
Cicëroja me zërin
Fjalë begatie.
Kur shkova në moshën e lules
Shpërndaja polen
Nëpër fusha.
Në moshën e frutit
mend u shisja të gjithëve
Për shijen e ëmbël të jetës.
Tani jetoj moshën e gjethes
lëkundem e zverdhem
Kam frikë të bie.