

Një ditë plot diell dhe ngjyra pranverore të ngrohta, në Amfiteatrin e Liqenit të Tiranës, me poezi. Nxënësit e shkollës “Faik Konica” politologut/ gazetarit/kritikut/eseististit/shkrimtarit/polemistit brilant dhe themeluesi i kritikës shqiptare. Të ulur ashtu këmbëkryq ballë përballë fjalën e lirë, poezinë, librin ishin aq të paqtë, saqë u krijua një marrëdhënie reale dhe e ngrohtë, larg skaletave të folësve nëpër salla të mëdha akademike.
Çiltërsia e tyre ishte çarmatosëse, dhe pse fatkeqësisht libri është larguar nga lexuesit e rinj, ku dhe vetë politikat shkollore, nuk krijojnë kurrikulat edukative, që mbajnë larg nxënësve të moshave shkollore. Atmosfera rinore, dritoj dhe dielloj fjalën e bukur shqipe, nën vargjet e librit poetik “Tempulli i pasionit” të Aleksandër Shallvari me praninë e moderatores Mimoza Hoxha Agastra , doktoresha psikiatre dhe poetja Fatbardha Xhani Myslimaj , doktori i librave Dritan Korumi dhe aktorja Mim Marjanaku.
Madhështia dhe madhështorja, frymojnë vetëm me mbretëreshën e letërsisë: POEZINË!
* * * * *
Libri poetik, “Tempulli i pasionit”, i Aleksander Shallvari që doli në panairin e sivjetëm, ishte një tjetër lloj poezie, përmes imazheve, perceptimeve, përshkrimeve, por qasja e tij ndaj poezisë moderniste na kumton tema interesante përmes:
a) marrëdhënia mes lexuesit dhe autorit,
b) marrëdhënia mes dimensionit poetik dhe ndikimit emocional,
c) marrëdhënia mes reales dhe imazhit,
d) marrëdhënia mes Unit Individualist dhe Universializmit,
e) marrëdhënia mes intimes dhe dashurisë…
Përrokja e mendimeve, ideve, përvojave, psikika dhe ndikimi emocional autorial, i jep një tjetër dimension poezisë së tij. Perceptimi i imët i mjedisit, në këto lirika vjen nëpërmjet këtyre cikleve:
1. Cikli i parë, (ëndërra) me vargjet: ajo pinte dhe qante njëkohësisht,/për të gjitha herët që
nuk ngrinte dot grushtin/të mbyste frikërat e saj/që i ngushtonin rrethin e “një jete të qetë”/dhe që të gjithë kishin nevojë për kujdesin e saj./Askujt nuk i shkonte në mendje kurrë/ta pyeste të paktën një herë:/Po ti si je?, ku autori nuk e “hiperbolizon” femrën, por ai sjell një një pezi, ku femra është femër dhe ajo ka frikërat e saj, që nuk ia thotë as vetes, por qëmton thellë në vetëveten e saj, me përkujdesjen ndaj familjes por pa e pyetur kurrë: po ti si je?.
2. Cikli i dytë, (portrete në reliev), qëmtimi poetik vjen përmes impresionizmit. Po, çfarë
është impersionizmi? Në fjalorin e Gjuhës Shqipe (ASHSH 2006), [impresioníz/ëm,-mi emër i gjinisë mashkullore; term në letërsi; art. rrymë artistike që i paraqit drejtpërdrejt përshtypjet e çastit, ndijimet e holla dhe përjetimet vetjake të shkrimtarit a të artistit]. Impresionizmi – (lat. impressio, frëngjisht impression – përshtypje, mbresë) është term që lindi së pari në artet figurative. Në letërsi, impresionizmi shfaqet në kapërcyell të dy shekujve, rreth viti 1890, deri në vitin 1910, si një metodë e pasqyrimit të realitetit pa bërë diskriminim midis “e bukur – e shëmtuar”. Poeti, përmes vrojtimi të hollësishëm, e paraqet jetën në detajet e zgjedhura të saj, me pjesëmarrje të theksuar ndjenjash, sikur është fjala për përshtypjet, për mbresat (impresionet) të cilat poeti i radhit njërën pas tjetrës. Për impresionistët, realiteti i drejtpërdrejtë dhe i përditshëm është më i afërt dhe më interesant.
3. Cikli i tretë, (tempulli i pasionit), mban dhe titullin e librit, përmes vargjeve; janë ca
çaste/që unë e ti/nuk i shmangim dot,/të vogla,/të imta,/të thjeshta,/të dashura/sublime,/ prekëse,/ngazëllyese…/janë ca gjëra/si kjo tani,/pa zhurmë,/pa kërkuar,/pa thirrur,/pa harruar,/ ashtu thjeshtë/me një përqafim,/me një prekje,/një ledhatim,ku autori përmes inpresionizmit, “heton”, “sheh”, “përrok” rrethanat jetësore, që ne shpesh i harrojmë.
4. Cikli i katërt, (tre udhë), përmes vargjeve: qyteti im zakonisht të shtunave/është i qetë
dhe indiferent,/por sot njerëzit më dukeshin më të bukur,/dhe rrugët plot./Ndoshta tërë atë bosh e mbushe ti sot!, nga poezia e “E shtunë”, përmes analogjisë me “qytetin depresiv” të Bardhyl Londos, poeti me elemente ekspresioniste, nënkupton të shfaqurit e përjetimit të brendshëm shpirtëror, pa u ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga ngacmimet e jashtme, pra krejtësisht në mënyrë subjektive, ndryshe (nga ekspresionizmi akstrakt në pikturë) në letërsi, nënkupton afrimin tek e brendshmja e individit dhe aftësia për empati, imagjinatë dhe kreativitet përtej objektives. Poeti qytetin e trajton si metaforë njerëzore, nuk e tehuajizon, herë sendërton dhe shprish, trajtat e mirazheve reale, të një trajektoreje gjithëkohore të zhvillimeve sociale dhe shoqërore. Në aspektin indidual në lidhje me lexuesit, poetët ndërtojnë ironinë e fatit dhe kohës, se koha reale dhe hapsira (e brendshme) e lëvizjeve jo vetëm janë një kombinim planesh, që zëvendësojnë njëri-tjetrin p.sh. (qyteti dhe vajza/dashuria/ajo/ti, pra një metaforë njerëzore.
5. Cikli i pestë, (dritë mbijetes, hije kujtimi), është një poezi rrëfyese, dëftuese, realisto-
post/moderniste, fjalët/besimet/shpirtrat/dashuritë, derdhen në “oazin” e sinqeritetit primar poetik, ku dukshmërisht struktura e elementeve poetiko- stilistikore, “ngjeshet” nën palat e vargjeve, ku realiteti sendërton njeriun-poet. Melodia dhe harmonia e vargut, janë pjekur dhe “lëngu” po fillon të fermentojë verën e vjetër të poetit karizmatik shkodran, që endet mes gegnishtes së tij të âmël dhe standarde. Vargu: dy herë kam qarë për një grua,. sepse nuk doja të mbetem dyfish jetim./Si bir dhe si i dashur!, është një burrë poet, që artin e tij e ndërton mbi dashurinë dhe respektin mbi gratë. Ajo/ato, nuk janë “vetëm lodra joshëse”, por qenie që qajnë, që vuajnë, që kanë nevojë për dashuri, që vuajnë, që tradhëtojnë, që xhelozojnë, që sendërtojnë përditësinë e tyre, që herë humbin dhe herë gjejnë veten e tyre.
Sëfundmi: poezia e A. Shallvarit, është një poezi që endet mes ipresionizmit dhe ekspresionizmit, përmes poezisë hapëse “Xhepi i brendshëm” me vargjet: më duhet të mbledh ato grimca kujtimesh,/sa të bindem pse jam këtu,/rrugët janë bosh me kalimtarë të panjohur, /ndërsa të gjithë vrapojnë për askund,/sikur duan ti shmangen ditës së nxehtë…/që djeg pa qenë faji i tyre, por dhe elemente të ekzistencializmit, që përbëjnë dhe profilin e post/modernizmit. Një lirikë, që përpos gjuhës së lëmuar artistike, kupton që “aksi femëror” është imazhi që ngjis saora në veshjen e kësaj lirike për të ruajtur indentitetiten shallvarian, në vargun e plotkuptishëm: për të vërtetuar që jam unë…identikisht. Një indentifikim jo si njeriu shqiptar (si emigrant), por përtej njeriut; si poet!
©Copyright EMI KROSI.