Ligësia-Olimbi Dafa

O pronarë të injorancës,
mos mbillni ligësi për fatkeqësinë e tjetrit,
se si qen që të kafshon është ligësia,
që as ngopet, as lodhet nga poshtërsia.

Mos bini pre e gojëve të liga,
se do të shkatërroni gjithçka,
se pabesia është besnike e pabesisë,
fytyrë-maskë e hipokrizisë.

Një zemër që është e kalbur
zbulohet, edhe pse e maskuar mirë,
se ai ka hedhur farën e tij
që bie erë kalbësire.

Mos i lejoni t’ju shkatërrojnë
duke u bërë pre e hipokrizisë.
Mos jepni ndjenjën e kënaqësisë
duke ju mbjellë farën e djallëzisë.

Më thuaj, o njeri i mirë,
a mund ta quani njeri një fytyrë-maskë,
që mbjell farën e keqe
e dritën do ta shuajë tek ti?

I ligu është i zgjuar si gjarpri,
helmues si ai, e në poshtërsira
zvarritet me shumë djallëzi.

Pse nuk mbillni dashurinë
në shpirtin e bukur që sjell pranverë?
Po villni vrer me shpirtin katran të zi,
që është shpirt bosh e pa mirësi.

O njeri i lig,
i lig ke qenë e i lig mbete,
një hije do të jesh në pafundësi,
sado të kamufluara poshtërsitë e tua,
prapë vjen era poshtërsí.