
Të lodhur këta gurë.
Shpërndarë:
Nëpër rrugica, bokërima,
Sheshe, brinja e lëndina
Kërmij të vrarë.
Mbështjellë, mbuluar,
Nën të vjetrën, të grisurën,
Të çjerrën, copëtuarën, të shqyerën,
Të tyren gunë.
Lakuriq mbetur,
Cullak, akulluar.
Nën këmbë
Natë, errësirë,
Shtrirë, kufomë e ngrirë.
S’lëviz as dhe një fije qerpik,
Heshtja gur varri mbirë.
Të shkoqur, të shkoqur,
Thërrmuar,
Këta gurë.
Tym, re e pluhur,
Pluhur nën qiellin e ngrirë,
Jetim, jetim, jetim…,
Pa asnjë gjymtyrë
Pa të lashtën, të vjetrën, të dhirtën mbulesë
Hedhur supeve shark,
Palca, së paku të mos u ngrijë.
I rrahën erërat,
I gërryen shirat,
I brejtën stuhitë,
I krisën bubullimat,
I plasën vetëtimat,
I shkoqën ulërimat,
I përflakën, i dogjën, i shkrumbuan,
Në kaminat e zjarrta,
I përvëluan, përcëlluan, thërrmuan
Në shuplakat e ashpra të gjuhëve të flakëve.
Mbetur,
Jetim këta gurë
Më kot presin,
Thinjur nga e gjata pritje,
Që, një zog dielli shprese,
Supeve një pupël ere t’iu ul,
Një buzë e trëndafiltë dashurie,
Ballin t’iu puth,
Një pikë dashuri mirësie
T’iu vesojë të fishkurat buzë…
Asgjë, asgjë, nuk duket,
Askund.
Të gjitha ngatërruar e humbur
Në të humburën udhë.
Jetim, mbetur jetim këta gurë.
Askush s’i bie ndër mend
Kalldrëmeve t’i shtrëngoi sup më sup
As t’i vendos në ledhe, mure shtëpish,
A në të kështjellave mur.
Aspak, aq më pak,
Askujt në mendje s’i bie,
T’i përdor,
Për këmbë e harqe,
Që lidh dy botë, dy brigje
Në një urë.
Mbetur jetim këta gurë,
Kruspullosur,
Mardhur në gropën e sqetullës së harresës
Harruar lënë, braktisur,
Mbështjellë me mantelin e heshtjes,
Strukur, murgj.
Pa një qerpik hëne
Varur mbi të tyren buzë,
Pa një velenxë gjethesh supesh
Që, të qullurën palcë
Paksa ta thajë,
Të mardhurën një fije ta zbutë.
Pa një rrjedh loti
Që të nis e zbres
Në të humburën udhë.
Vetëm
Me një leckë të grirë myshku harrese
Supeve të rëna varur
Nga pesha e malit të brengave,
Vetmitar, fillikat, braktisur,
Harruar, humbur, qyqar,
Atje në cep braktisurën, anë rrugë.
Jo dorën,
Po as gishtin, s’ua zgjat
Askush, askush,
Askush.
Askush, askush,
As do të shikoj,
E as do të dëgjoj më,
Për këta gurë.
As për gur varresh
S’kujtohet kush
Në pëllëmbë t’i marrë,
E, në kokë të, të vdekurve,
Për shenjë t’i ngulë
Dhe kurrën e kurrës
Askush s’mendon t’i përdorë për qivur.
Të vdekurit,
Vetëm të vdekurit,
A, ata të vdekurit s’i harrojnë
Për ta, veç ata kujtohen.
Nga thellësia e varrit,
Ngrenë pak kokën,
Zgjatin duart t’i përqafojnë
E mundohen t’i puthin në buzë.
U fryjnë në fytyrë
U japin frymë varri.
Dhe ajo frymë të vdekurish
Sikur pak i çmykos,
Kris një fije të hollë plase
E, në brendësi të plasës,
Sikur nisin të hedhin farën
E një fije bari,
Të një lule,
Të një sythi,
Të një bisku,
Të një gjetheje,
Të një fëshfërime…
Mbetur jetim, jetim,
Jetim këta gurë
Humbur në një kryqëzim,
Drejtim humbur, pa udhë.
Mbetur jetim këta gurë
Vetëm me puthjen e të vdekurve,
Dhe vetëm të,
Me puthjen e tyre duan të vdesin
Ngrirë në buzë.