Shkruan: Çaush Kullafi]






Një mbrëmje me miqtë e mi portugezë, gjatë një shëtitjeje në pedonalen e Parkut të Liqenit të Paskuqanit, më frymëzoi të hedh në letër disa rreshta për këtë hapësirë të jashtëzakonshme të gjelbër dhe relaksi që sot është kthyer në një ndër atraksionet më të veçanta të Bashkisë së Kamzës. Nën ndriçimin spektakolar që pasqyrohet në sipërfaqen e qetë të liqenit, mes zërave të fëmijëve, aromës së kafesë dhe bisedave të njerëzve të moshave të ndryshme, qëndron e gjallë atmosfera e një komuniteti që di të jetojë në harmoni. Muzika që vinte nga një koncert i organizuar në sheshin pranë e plotësonte peizazhin e një mbrëmjeje të paharrueshme.
Teksa ecja me miqtë e mi, Miguel dhe Maria, , të ardhur nga Portugalia për një vizitë kulturore, ndjeva se kjo shëtitje nuk ishte vetëm një udhëtim fizik, por edhe shpirtëror. Në çdo hap, më rikthehej në kujtesë pamja e liqenit tridhjetë vjet më parë. Atëherë ky vend kishte një pamje krejt tjetër: terren i pashtruar, me bar të egër, llucë dhe ujë të ndotur. Vinim shpesh këtu për të peshkuar, shpesh me çizme që zhyteshin në baltë, dhe kur binte mbrëmja, ndiznim elektrikët për t’u kthyer në shtëpi, sepse gjithandej mbizotëronte errësira.
Sot, panorama është krejt ndryshe. Ky transformim i jashtëzakonshëm mban vulën e arkitektit të zhvillimit urban dhe të natyrës, z. Rakip Suli, kryetarit të Bashkisë së Kamzës. Më kujtohet takimi ynë i parë, në ditët e para të marrjes së detyrës së tij. Nuk njiheshim më parë, por që në bisedën e parë, ndjeva përkushtimin e një njeriu vizionar. “Dua të vë dorë në gjithë territorin e Bashkisë së Kamzës, më tha, por veçanërisht dua që Liqeni i Paskuqanit të marrë frymën që meriton, të qëndrojë kokë lart përballë liqenit të Tiranës.”
Në atë kohë, territori i parkut nuk kishte as dokumentacionin e nevojshëm ligjor. “Nuk e ka hipotekën, vijonte ai me shqetësim, dhe pa të nuk mund të nis asnjë projekt.” Disa muaj më vonë, në një tjetër takim në zyrën e tij, e ndjeva entuziazmin në zërin e kryetarit Suli: “Tashmë e kemi marrë hipotekën e plotë të territorit prej 84 hektarësh! Kjo është çertifikata e fillimit të punës së madhe.” Ai ma tregoi dokumentin, të vendosur me krenari në një kornizë në ballë të zyrës së tij.
Pas gjashtë vitesh punë intensive, Parku i Liqenit të Paskuqanit është shndërruar në një hapësirë model për rekreacion dhe zhvillim urban. Janë mbjellë mbi 10 mijë pemë, të siguruara kryesisht nga donacione private; janë ngritur këndet e lojërave për fëmijë, shtigjet për biçikleta, hapësirat për sport dhe ambiente çlodhëse për familje. Shtëpitë e bukura që e rrethojnë parkun i japin peizazhit një pamje estetike të rrallë, ku gjelbërimi, uji dhe drita ndërthuren në mënyrë harmonike.
Miqtë e mi portugezë mbetën të mahnitur. Ata përgëzuan qytetin dhe drejtuesit e tij për këtë investim që i jep jetë komunitetit dhe përforcon ndjenjën e përkatësisë. “Në këtë park ndjejmë frymën evropiane të bashkëjetesës me natyrën,” më tha Maria, teksa shihte fëmijët që luanin buzë liqenit.
Kjo mbrëmje në Parkun e Liqenit të Paskuqanit nuk ishte vetëm një shëtitje. Ishte një kujtesë e së shkuarës, një vlerësim për punën dhe përkushtimin njerëzor, dhe mbi të gjitha, një mesazh për të ardhmen: se dashuria për mjedisin dhe vizioni qytetar mund ta kthejnë çdo vend në një hapësirë dinjitoze, të denjë për njerëzit dhe për jetën.