Mërgimtar-Nga Eduard M. Dilo

Nga Eduard M. Dilo

MËRGIMTAR

Mall ndjej, kurrë nuk shuhet
Për gjithçka që më mungon:
Për gurë, gerxhe, mure, avlli,
Për ujin që embël gurgullon.

Për malet që më rrethonin,
Për pemët plot hijeshi,
Për rrush, arrë, fiq e mollë,
Dardhë,ftonj, lajthi e qershi.

Kam mall të dëgjoj blegërimën,
Zërin e ëmbël të bagëtisë,
Në livadhe e në kodrina,
Qengjin e vogël që pi sisë

Të ndjej aromën e trëndelinës,
Çajin që rritet në mal,
Të dëgjoj zogjtë që këndojnë,
Të rri nën hije, në livadh…

Ato lule plot aromë
Nuk i kam, sa më mungojnë
Lojërat që dikur bënim,
Plot nostalgji i kujtoj.

Ato rrugë plot me gurë,
Baltë e pluhur, jo asfalt,
Kishin gjithçka natyrale
Ku t’i gjej? I kam shumë larg.

Sot më vijnë në mendime,
Kujtime shumë, pa mbarim
Kjo nostalgji, mall i heshtur
Po ma bren këtë shpirtin tim.