Eralda Cuko

Esse :Mes shkrepash e malesh, mes vuajtjesh, vështirësish e sakrificash,larg familjes e nisa rrugëtimin tim në profesionin e mësuesisë.
Rruga nuk ishte thjesht një udhë guri, por një provë shpirti, ku çdo hap peshonte mall, durim dhe besim.
Në heshtjen e maleve mësova të dëgjoj zërin tim të brendshëm dhe të kuptoj se mësuesia nuk është vetëm profesion, por mision i heshtur.
Çdo mëngjes e nisa me dritën e shpresës dhe me barrën e mungesës, duke mbajtur në zemër fytyrat e atyre që lashë pas.
Por në sytë e nxënësve gjeta shtëpinë time të re, aty ku fjala bëhet dritë dhe dituria farë që mbin në kohë.
Mësova se sakrifica nuk varfëron, por fisnikëron shpirtin.Mes vështirësive u kalita, mes mungesave u rrita.
Mësuesia më mësoi të jem e fortë pa humbur butësinë, të jap pa pritur dhe të besoj edhe kur rruga bëhet e ashpër.
Sepse aty, mes shkrepash e heshtjesh, kuptova se njeriu nuk matet nga komoditeti, por nga qëndrueshmëria e ëndrrës.
Nuk u tërhoqa kurrë edhe përtej atyre maleve të thepisur do te shkoja, sepse kur dëgjoja zërin tek ēmbël me thërriste “ mësuese”kenaqësia mposhtte çdo vuajtje e vështirësi.
Dhe sot, kur shikoj pas, e di se çdo hap larg familjes ishte një hap më pranë vetvetes.
Sepse mësuesia nuk më dha vetëm një profesion, por kuptimin e një jete të tërë…