
METAFORA – LIMFA E VJERSHËRIMIT XHULIAN
(Vëllimi lirik “Mos ma turbulloni puthjen” i Luan Xhulit, Neraida 2025)
“Librat janë pasqyra e shpirit.” (Virginia Woolf)
“Sytë janë dritaret e shpirtit.” (Khaled Hosseini)
I zgjodha këto dy citime metaforike për t’ju ftuar që të hyjmë së bashku në fonderinë e shpirtit të Luan Xhulit ku që prej 35 vitesh ka shkruar kushtetutën e vet dhe ka ngritur zgjoin poetik në një trung lisi të vendlindjes, ka mbledhur dhe hojezuar nektarin e jetës së emigrantit shqiptar të Greqisë në tetë vëllime poetike në shqip dhe gjashtë vëllime poetike në greqisht.
Vëllimi me lirika “Mos ma turbulloni puthjen” që sapo është botuar, çuditërisht ka shumë gjëra të përbashkëta me vjeshtën, stinën e frutave, të artën e gjetheve, shiun e mirëpritur dhe moshën e poetit.
Tashmë Luan Xhuli ka kristalizuar portretin e vet poetik, ka plantacionin e vet të metaforave ku mund të hysh sakaq, por është e vështirë t’ia gjesh fundin.
Dikur Dritëroi i Madh pati thënë për të ndjerin Ali Kondi, këngëtar dhe valltar popullor, se po ta shtrydhësh atë, kullon këngë; me këtë kalk të gatshëm guxoj të them se, po t’i shtrydhësh librat e Luanit, do të përftohet një rrëke metaforash që ta përmbytin shpirtin dhe ta zbukurojnë vështrimin për botën.
Poeti dhe heroi lirik njëjtësohen me një fytyrë dhe një zë që bashkëbisedojnë me lexuesin me çiltëri. Shumica e lirikave të këtij vëllimi janë shkruar në kohën e pandemisë së frikshme të kovidit, prandaj mbyllja e detyruar ishte si tharja e një çezme, ku nuk mund të shkoje më për të mbushur ujin jetëdhënës dhe vetmia u kthye në një lloj sprije që pasoi këtë thatësirë.
“Të shkruar me shkumës jemi
mbi këtë letër të zhubrosur,
pagëzuar si jetë.” (f.30)
“Kam ngelur si verë e prishur:
as musht, as uthull…” (f.46)
“Isha kthyer në eunuk.” (f.56)
Sado e padëshiruar, siç shkruan romancieri dhe skenaristi amerikan Truman Capote, “Jeta është një dramë e organizuar mirë, por me një akt të tretë të shkruar keq”, prandaj poeti tanimë nuk ndodhet në mëdyshje, “pensionisti,/ shkronja e fundit e alfabetit tim” (f.15), “më shteroi alfabeti i zakonshëm” (f.16), “ka ditë që ndihem si ujë i ndenjur” (f.17). “Oh, sa shpejt që ikën vitet,/ moshën…po na e masin ikjet.” (f.69) “…mendoj ta birësoj/ atë stol të drunjtë/që s’më lë të iki.” (f.117) “Dëshirat kanë dorëzuar targën e udhëtimeve,/Kam shtuar talkimet me mjekun e familjes.” (f.138)
Ajo që mund të bëjë tani është përpjekja për ta zgjatur sa të jetë e mundur pjesën aktive të vjeshtës së vet “një stinë me krahë të thyer shpresash.” (f.20) “Ndryshkun e lotit të dikurshëm/ e ruaj si shenjë të mosplakjes sime.” (f.153)
Familja me vlerat dhe përkujdesjen e saj është një nga pjesët më të bukura të fonderisë Xhuli, një familje që identifikohet me prindërit që kanë ikur, por kanë lënë pas, përveç emrave, edhe ca shenja që e fisnikërojnë shpirtin e njeriut, themelet e shtëpisë së braktisur e rrënuar, çorapet prej leshi bërë nga nëna; me motrat dhe vëllanë që koha i vendosi larg njëri-tjetrit; me gruan dhe vajzat që mbushin pjesën më të bukur të ditës. Kjo qasje ndaj familjes ka ngastrën e vet në të gjitha vëllimet poetike në shqip. Brenda kësaj celule të shenjtë është edhe poeti që shpall kredon e vet, që i mëshon ndihmesës së vet në fushën e letrave, që ka zënë një vend nderi në rrethet e larta letrare të Athinës e Greqisë, duke rrëmbyer çmime dhe duke u bërë pjesë e antologjive të zgjedhura.
“Më pëlqen të mbetem mes jush poezi/që s’do t’i mungojë asnjëherë metafora.” (f.90)
“Lexomëni si jam:/ Betohem te shikimi,/ rrëfehem te puthja/ dhe vdes kur bëj dashuri.” (f.157)
Dashuria është ajka e vëllimeve poetike të Luan Xhulit e kundruar nga disa rrafshe: e dashurisë që ia ka gudulisur shpirtin që në adoleshencë, e dashurisë ndaj femrës që ndez në shpirt një zjarr që nuk shuhet kurrë, e dashurisë për atë që bëhet bashkudhëtare e jetës, e dashurisë si ëndërr e parealizuar që kthehet në brengë.
“Mbeta një dashnor i bukur dhe i sëmurë/ që dashurisë i vura parzmoren e shpirtit tim.” (f.147)
Skenat erotike janë hoje që dallohen për qëndismën e veçantë si te shkallëzimi i mëposhtëm zbritës:
“…hëngra të gjithë të kuqin e buzëve…
piva lëngun e vishnjave të gjoksit…
u pengova te një pite mjalti.” (f.27)
Njeriu dhe fati i tij është fryt i kohës kur jeton, brezi i poetit i përket katër dekadave me transformime të mëdha, kur çdo kthim i kokës pas kullon nostalgji:
“Në kohën kur linda unë
burrat mbanin kostum shajaku
dhe gratë shami kanuni mbi ballë.
Të rinjtë vishnin xhaketa komisarësh
dhe vajzat pantallona komsomoli.
Linda në një kohë të pasur me ëndrra
aq sa dëshirat vdisnin pa u nisur.” (f.12)
Ndryshimi i sistemit politik solli një qasje barbare ndaj natyrës, prandaj atë që ndodhi me malin e vendlindjes, e quan elegji:
“E dogjën Moravën.
Kroi i Gjeraqinës si buzë e paputhur shteroi.
Kam filluar të urrej çakmakët, shkrepëset, eshkën, cigaren…” (f.61)
“…pyjet ua dorëzuan klorofilin zjarrvënësve.” (f.79)
Krahasimi është paradhoma e metaforës në poezi. Ai vazhdon të mbetet shoqërues edhe atëherë kur pjekuria e poetit ka kapur majat.
“Fantazia frigon si emigrant pa lejëqëndrimi.” (f.83)
“Unë emigrant mbeta si çelës i thyer/brenda dy bravave të huaja.” (f.89)
Krahasimet kulmojnë te poezia “I thërrmuar” duke i paraprirë çdo strofe:
“Mbetem i ngrënë si shtufë guri…
U thava si gjembaçët e gushtit…
U thërrmova si pantallonat e vjetra kadife…
Mbetem si kafe në mulli të prishur…” (f.106)
Metaforat e këtij vëllimi hapen me deklarimin që do kthehet në refren për jetën prej emigranti në fashën e saj më përcaktuese: “Gjithë jetën kështu mbeta,/ peshk mbetur mbi grepa.” (f.10)
“Shalova një kalë të panjohur, xanxar,
me samar të ngrënë nga pesha e shtegtimit
dhe litarë të kalbur lagështirës së ankthit.” (f.76)
Megjithkëtë “i gjithë shpirti ngjan/ me hartën e vendlindjes sime” (f.25), “mbetem busull drejtuar nga vendlindja.” (f.34)
Edhe më i madh është vërshimi i metaforave në lirikat e dashurisë:
“Malet e pritjes i vijëzova në ngjyrë kafe,
Pyjet e shpresës , në të blertën e gjethes,
Luginat e përqafimit, në të verdhën e pjalmit,
Liqenet e puthjes me të kaltrën e qiellit…” (f.32)
“…në lulishten e syve të tu
shoh ylberet e shpirtit tim.” (f.44)
Po kaq e qëndisur me mjeshtëri vjen metafora në lirikat e nayrës:
“E këputi shtatori llastikun e vapës.” (f.109)
“Deti teshtin/Pshah… p.shah…/ stërkalat picëllojnë bregun
duke vendosur mbi të peceta valësh.” (f.115)
“Perëndimi ka ndezur thëngjij mbi mbrëmjen
dhe një mangall të tërë/ ka flakur horizontit.”
Tetori vjeshtak, si veshka mes dhjamit, zakonisht ka brenda tij një behar të vogël, prandaj poeti, në vjeshtën e vet, me siguri do të na vijë sërish me një kanistër metaforash në një vëllim që me siguri ka filluar të gatuhet në magjen poetike.
Bilisht, 9 – 10 tetor 2025