Mosmirënjohja,hije mbi dritën e shpirtit-Eralda Cuko

Esse: Mosmirënjohja,hije mbi dritën e shpirtit

Në kopshtin e shpirtit njerëzor rriten shumë lule:dashuria,dhembshuria,falenderimi,mirëkuptimi por midis tyre mbin edhe një bar i hidhur “mosmirënjohja”.Ajo nuk del në pah menjëherë por fshihet strukur pas buzëqeshjeve e fjalëve të ngrohta duke helmuar rrënjët e mirësisë. Ajo bie rishtas si një mjegull që mbulon kujtesën e zemrës duke e bëre njeriun të harrojë dritën që e ka ngrohur dikur.

Në thelb mosmirënjohja nuk është mungesë e fjalës “faleminderit”por mungesë e shpirtit që di të ndiejë e të kuptojë. Mosmirënjohja është sikur nata pa yje në qiellin e shpirtit. Ajo lind aty ku dikur ka ndritur drita e mirësisë dhe shuhet si një qiri i harruar në stuhinë e egos. Ajo është ftohtësia e shpirtit që ka harruar ngrohtësinë e duarve që e kanë ngritur.

Njeriu mosmirënjohës ecën mbi urat që të tjerët kanë ndërtuar për të, pa kthyer kokën pas, pa parë as hijen e mirësisë. Ai e pi ujin e burimit dhe e harron se dikush e gjeti atë burim në shkretëtirë. Mosmirënjohja e kthen zemrën në shkretëtirë të bukur nga jashtë, por pa jetë brenda.

Filozofikisht, ajo është harresa e lidhjes mes qenies dhe qenies tjetër. Të mos njohësh mirësinë është të mohosh ekzistencën e tjetrit, e ndoshta edhe të vetvetes. Sepse mirënjohja është ura që bashkon shpirtin me jetën, ndërsa mosmirënjohja është thyerja e asaj ure në heshtje.

Vetëm ai që falënderon apo kujton me zemër, e kupton se çdo dritë që ndriçon rrugën e tij është dhuratë. Dhe vetëm ai shpëton nga errësira e mosmirënjohjes nga ajo natë e brendshme ku humbet kuptimi i dashurisë dhe i qenies…