Caush Kullafi




Kamza tashmë paraqitet ndryshe në hartën arsimore të vendit. Objekte të reja shkollore, të ndërtuara me parametra bashkëkohorë, funksionale dhe dinjitoze, dëshmojnë qartë një qasje më serioze ndaj arsimit publik dhe së ardhmes së brezave që rriten në këtë territor dinamik. Shkolla nuk është thjesht një godinë, por një hapësirë formimi, qytetërimi dhe vizioni.
Në vite, rruga ime më kishte mësuar të kaloja nga Paskuqani, pranë një shkolle të vogël, vartëse e shkollës “Azem Hajdari”. Një ndërtesë modeste, me mure të thjeshta, por me një shpirt të madh. Aty gjeje fëmijë të dashur, të çiltër, dhe mësues përkushtuar që e kryenin misionin e tyre me dinjitet. Çdo kalim shoqërohej me një përshëndetje miqësore, me emra që sot mbeten pjesë e kujtesës sime profesionale: Latif Gjoka, Agim Kruja, Hava Maloku e të tjerë, mësues që i dhanë kuptim fjalës shërbim në arsim.
Krejt ndryshe është pamja sot. Në të njëjtin vend, në rrugën kryesore Institutit – Kafja e Rremës, ngrihet një godinë e lartë, moderne, imponuese në arkitekturë dhe domethënëse në funksion. Shkolla “Lidhja e Prizrenit” është ndërtuar mbi gjurmët e asaj shkolle të vogël, por me një vizion të ri, europian, që reflekton zhvillimin urban dhe arsimor të Kamzës.
Që në momentin kur futesh në ambientet e kësaj shkolle, ndjen ndryshimin. Hapësira të gjera, ndriçim natyral, klasa funksionale, korridore të rregulluara, laboratorë dhe ambiente ndihmëse që flasin për standard dhe kujdes institucional. Është një shkollë që të fton të besosh se arsimi mund dhe duhet të zhvillohet në kushte dinjitoze.
Menjëherë të del përpara drejtoresha e shkollës, znj. Dr. Lindita Murataj Blloku, një figurë energjike, me komunikim të drejtpërdrejtë, serioz dhe njëkohësisht njerëzor. Na fton pa hezitim në zyrën e saj, një zyrë që përmbush të gjitha parametrat e një drejtuesi modern shkolle: funksionale, e rregullt, e hapur për dialog. Me një shaka miqësore i them se zyra juaj është më moderne se ajo e kryetarit të bashkisë. Ajo buzëqesh dhe përgjigjet natyrshëm se edhe ai vetë ia ka thënë këtë.
Biseda me Dr. Linditën është një përvojë më vete. Në çdo fjalë të saj, në çdo reflektim, në qendër qëndron nxënësi, mësuesi dhe ambienti shkollor. Ajo flet për mësimdhënien si proces të gjallë, për përgjegjësinë profesionale të mësuesit, për nevojën e trajnimit të vazhdueshëm dhe për ndërtimin e një klime bashkëpunimi brenda kolektivit. Drejtimi i saj karakterizohet nga profesionalizmi, korrektësia dhe vizioni afatgjatë, ku shkolla shihet si institucion edukimi dhe formimi qytetar.
Mësuesit e kësaj shkolle, sipas filozofisë drejtuese të Dr. Linditës, janë aktorë aktivë të procesit arsimor. Ata nuk janë thjesht transmetues njohurish, por udhërrëfyes, modele komunikimi dhe vlera për nxënësit. Mësimdhënia zhvillohet në kushte bashkëkohore, duke respektuar individualitetin e fëmijës dhe duke synuar zhvillimin e plotë të tij intelektual dhe etik.
Dhe, pas kësaj përvoje reflektuese, mendja më kthen sërish te shkolla ime, “Vëllazërimi”. Çdo shkollë ka historinë, shpirtin dhe identitetin e saj. Në këtë krahasim të natyrshëm, kuptoj se pavarësisht godinave, teknologjisë apo parametrave europianë, thelbi i arsimit mbetet i njëjtë: mësuesi, nxënësi dhe përkushtimi ndaj dijes. Por kur këto bashkohen me vizion drejtues dhe kushte dinjitoze, atëherë arsimi merr kuptimin e tij të plotë.
Shkolla “Lidhja e Prizrenit” është një dëshmi se rruga e zhvillimit është e mundur, se e shkuara respektohet, por e ardhmja ndërtohet me guxim, profesionalizëm dhe dashuri për arsimin.