Spiro Kote

Në vetëprehjen e saj …
Për çdo ditë, pranë bregut shoh një barkë,
që s’ka as erë, as ngut në vela,
E përskuqur në ag,
E përshkëndritur në mbrëmje,
me emrin e fëmijërisë.
të ndryshkur, sa -pak.
Në spirancën e hedhur,
rrinë varur rruaza buzëqeshjesh,
si kujtime të një dore harruar.
E qetë – mërmëron me valët,
e paqtë – me dallgët.
Ndoshta ëndërron detra të pafund,
t’i iki bregut, çengelit, lidhjeve, sakaq,
të shtrihet mes kaltërsish,
ku qielli, s’ka cak.
Pulëbardhat e ftojnë në ajër,
e thërrasin:
“Lundro me ne! Frymë merr,
zbardhi velat me krahët tanë !”
Peshqit e rrethojnë,
buzëqeshin si trëndafila uji :
“Noto ! Eja me ne !”
…Por barka hesht,
e bindur bregut , qetësisë së vet,
e ngrohur nën diellin që s’e çon askund ,
harruar stuhive ,
lundrimeve…
Ndoshta për të
edhe qetësia është një udhëtim —
i pagojë, i pa zë …
Ndoshta pëlqen prehjen ,
rehatinë – pa aventurë të ikjes,
me frymëmarrje , të pafrymë
që s’jeton dot më thellë,
harruar lundrimit…
E sigurt në breg , e sigurt në rërë,
por jo , për ç’ka e lindur , e bërë .
Krijuesi
që e bëri për stuhinë e detrave,
ndoshta s’e kish parashikuar,
a çuar nëpër mend ,
ledhatimin e përgjumshëm të
brigjeve …
Për çdo ditë,
pranë bregut shoh një barkë,
ankoruar – në përgjumjen e saj të gjatë,
ndërsa dallgët shfryhen
e thërrmohen larg…
Tetor , 2024
—————————-