
| Shefqet Meko |
Hënë 28 Maj 1979, Pogradec
Sapo jam kthyer nga një shërbim në Mokër të Pogradecit. Iu bashkova një ekipi pune nga seksioni i artimit dhe kulturës. U fokusuam në Trebonjë, Potkozhan, Pleshisht dhe Dunicë. Ishte një udhëtim mahnitës dhe bllokun e mbusha me plot shënime dhe mbresa. Eh ç’plagë e kujtime në këto anë, histori dhe traditë dhe njerëz të mirë. Përfundimisht kam përgatitur 3 shkrime dhe po bluaj një reportazh për jetën që pashë me syte e mi…
Shëtit “buzë liqenit pa kufir…” të Pogradecit dhe sjell në mendje ato që pashë lart në ato male në përendim të qytetit. Kontrast i plotë dhe ndryshim dramatrik. Jo më kot njerëzit kanë qejf qytetin, sepse jeta këtu është ndryshe dhe shumë me e lehtë se aty ku prodhohet qumësht, fruta e perime… Nën gurgullimën e valëve të liqenit, dua të ëndërroj të ardhmen time dhe nuk e di si do të jetë. Dikush këtu në këtë qytet, mund ti japë rrjedhë të re fatit tim. Këtu, në ato zyra, nën peshë letrash dhe dokumentash “flenë” ëndrrat e mia për të vijuar studimet. A vallë dikush kupton pasionin tim për jetën? E vështirë. Në zyrat e komitetit ka një tjetër botë dhe direktivat vijnë nga lart dhe kurrë nga poshtë. Mbase Lasgush Poradeci e di më mirë se kushdo këtë dhe nuk i beson askujt, veç kones besnike që shëtit me të dhe unë kam frikë t’i afrohem…Vështroj nga larg këtë shëtitje poeti dhe përpiqem t’i depërtoj në mendimet e tij, por e di që jam një “i huaj” për të. Unë jam nga fshati. Poeti nuk më njeh dhe unë kam frikë t’i afrohem. Thjesht e sodis ecjen e butë të tij. Në qytet thonë se ai e bën këtë shëtitje përditë i vetëm dhe bashkë me konen.Përditë…Kjo soditja më sjell një tigëllim magjik të poezive të bukura të poetit me zërin e mësueses Ana Jovani nga Shkodra që recitonte me aq pasion poetin kur ne ishim nxënës që i ishim bashkëngjitur gjimnazit “Muarrem çollaku” si “veterinerë të ardhshëm”. Ana Jovani, pasionantja e pashoqe e poezive të Lasgushit e Dirtëroit , ende reciton për mua poezi, ende buçet zëri i saj nga altoparlanti në oborrin e gjimnazit ku ne rreshtoheshim në mëngjez gait për të filluar mësimet…Ajo recitone poemën “Nënë Shqipëri” të Dritëro Agollit dhe “Buzë liqeint pa kufir” të Lasgush Poradecit. Askush si Ana Jovani nga Shkodra nuk i dha aq drithërimë mallëngjuese vargjeve të poetëve tanë të madhenj…
I zhytur në timgëllima poetike pyes: A do mund të ndryshoj drejtimin e studimeve të mia, apo do mbetem veteriner? Koci Gegprifti është një zyrtar i seksionit të arsimit. Ai më ka premtuar të më ndihmojë në këtë dëshirë dhe unë kam e kam qirasur disa herë në hotel-turizmi i ri, lokali mw lluksoz i qytetit. U përpoqa ta takoja Kocin edhe sot, por nuk munda. E shoh të vështirë këtë punë ose thjesht vetëm fjalë të mira…
Sa më pëlqen soditja buzë liqenit. I ulur në një stol, shkruaj në ditar. Tutje shoh të largohet silueta e poetit të Pogradecit me konen për dore, ndërsa plepat janë mbushur me gjelbërim të plotë dhe lulet kanë çelur… Hesht dhe mendoj. Liqeni valëzon lehtë edhe pse nuk ka erë. Cironkat në gjol notojnë tërë gjallëri të lumtura në kthjellësinë e lliqenit. Unë shpresoj. Po cironkat kanë ëndrra?…