Roshi Ajdini

Një flakë poetike që s’do shuhet kurrë!
Në të shtunën e fundit të shtatorit, Tepelena përjetoi një ngjarje të jashtëzakonshme.
Biri i saj i talentuar, Petrit Ruka, u rikthye në vendlindje, i rilindur në kujtesën e një vepre arti.
Një shtatore e bukur, si vetë shpirti i tij poetik, u ngrit aty pranë kalasë, me Vjosën poshtë e me malet lartë.
Kjo shtatore është si një flakë olimpike, që do të rrijë gjithmonë e ndezur.
Grimcat poetike të shpërndara në qiell, si grimca kozmike të mbushura me energji, do të jenë ushqimi i kësaj flake.
Çdo udhëtar, çdo turist e çdo kalimtar që do ndalet aty, do marrë pak nga ajo dritë me vete, si një ngrohtësi që mbush zemrën dhe e ndriçon shpirtin.
Vërtet, poetët e kanë penën si armën e tyre më të fortë.
Me të, ata forcojnë identitetin kombëtar dhe frymëzojnë brezat.
Me penë luftuan vëllezërit Frashëri, dhe me penë i dhanë jetë Rilindjes Kombëtare.
Ashtu si ata, edhe Petrit Ruka ishte një rilindas i kohëve moderne, vepra e lartësoi, vdekja e shenjtëroi, ndërsa shtatorja e përjetësoi.
Tepelena, me kalanë e saj qindravjeçare, me heronj të shumtë në tallazet e shekujve, me tradita të farkëtuara në rrebeshet e historisë, me folklor, etnografi e burrëri, tashmë është edhe më fisnike me poetin që këndoi për natyrën, për malet, për Vjosën, për Ali Pashën, për nënat e dashurinë, për vashat, traditën e heronjtë.
Ne ndihemi mirë kur të tjerët na identifikojnë me më të ndriturit tanë:
Tepelena e Ali Pashës.
Tepelena e Tafil Buzit.
Tepelena e Petrit Rukës.
Një javë pas poetit, do të vijë edhe heroi, kapedani Tafil Buzi, Nderi i Kombit, me shtatoren e tij.
Përreth kalasë dhe sheshit “Lord Bajroni”, ardhjes së poetit, do i shtohet dhe kapedan Tafil Buzi.
Me Ali Pasha
në hyrje të Tepelenës e në dalje të saj Selam Musa Salaria, Tepelena ngjan si një muze në natyrë.
Të gjithë, si në një mozaik antikiteti dhe modernizmi, janë tashmë kurora lavdie dhe krenarie për këtë trevë të bekuar.