Dr.Selman Meziu


Një libër i lexuar një kullë e ndertuar
Ishte mëngjes fund nandori. Një shi i imët vjeshte lagte asfaltin, bashkërisht me gjethet e rrapeve të zverdhura. Udhëve të lagjes së qytetit, lëviznin pak njerëz këtë mëngjez. Tavolinat me njerëz në kafenetë po mbusheshin me përtesë. Ishte një mëngjes i ditës së diel. Ai erdhi shpejt. pasi e thirra në telefon. Pranë meje shkrimtari Shaqir Skarra. Pasi u pyetëm e shkëmbyem disa fjalë ai hapi çantën, duke më thanë:
-Ja dhe libri im i sapo botuar në prag të panairit të librit. Lexova në një ballore të zezë, emrin e autorit me të bardha dhe titullin ‘’Vdekja e engjëllit,, Ajoe krijuar në këtë mënyrë të ngjallte kureshtje dhe të përcillte emocione.
Kaluan ditë dhe fillova leximin e tregimeve dhe novelave pa ju ndamun fletë pas flete duke zbuluar ngjarje, konflikte, peisazhe, personazhe që vërtet të mbeten në kujtesë. Ato kanë bamun folenë aty duke mbetur si gurë të çmuar që gjithmonë rrezëllojn shembuj nga jeta e brezave të djeshëm e të sotëm.
Pasi lexon tregimin ‘’Ferra e Pashës,, (f. 24) më mbeti në kujtesë biseda në mes dy protagonistëve, mësuesit Tomorr Lika dhe plakut Zenel Dika. Dhe ja lexojm së bashku: ‘’Edhe për shumë kohë i mbeti në mendje mësuesit të historisë ‘’Ferra e Pashës,, ky toponim me këtë emër grotesk, që ruante të fshehtat e një luftë heroike bashkë me sarkazmën dhe luftën e dibranit.,, (f. 30) Autori këtë ngjarje historike bashkë me toponimin na e ka sjellur në formën e një tregimi duke përjetësuar ngjarjen edhe në formën artistike. Sigurisht do të ndodhesh para një përjetimi emocional sapo të fillosh t’a lexosh.
Shkrimtari Skarra i qëmton, i gjen, i kërkon me kujdes tematikat, fabulat e tregimeve nga jeta reale, aty ai ngjyen penën dhe rrefen lirshëm. Kuptohet, të ndodhura dje apo sot, përmes shkapetjeve të luftrave të heshtura, të fshehura mjeshtërisht nën petkun e një propogande apo të një organizimi vrastar. Sapo të fillosh të hysh në galerinë e personazheve të tregimit ‘’Kulla,, (f.31) kush i ka jetuar ato kohë i kupton me dhimbje therëse. Ndërsa rinia do të meket, do të emocionohet pafundësisht kur të arrijë në fund të tregimit. Natyrshëm do të pyes veten: Edhe kësi lloje ngjarjesh shkatërrimtare jetësh e veprash monumentale, paskan ndodhur? Dhe ja lexojm me vëmendje:‘’Gazetari i ra përqark kullës. Të gjitha faqet e saj ishin njëlloj me fasadën, të rrafshëta e të lëmuara, thuajse të derdhura në çelik. Gurët e gdhendura, të prera si me thikë që përbënin faqet e mureve, ishin në simetri njëri me tjetrin, ku arkitekti dhe ustai kishin shkrirë talentin e tyre. Disa dritare të vogla frengjitë e panumërta, ishin i vetmi komunikim me botën jashtë.,, (f. 32) Këto janë ‘’kalatë,, arkitektura dhe mjeshtria deri në persosje e brezave, që u zhdukën me dhunë nga ‘’motorri,, shkatërrimtar i luftës së klasave. Por, fatkeqësisht, nuk mbaron me kaq. Dhe ja:‘’Shteti, që drejtohej nga ky president, e kishte vënë në listën e zezë këtë familje dhe po e çonte drejt shpërbërjes.,, (f. 36) Autori na fut me kujdes në vorbullën e ngjarjeve, duke na intriguar, befasuar magjishëm dhe, kur papritur njerëzit e kullës së dikurshme bashkë me atë në Lisvalle ishin zhdukur sikur të mos ishin kurrë. Lexuesi menjëherë e pyet veten: Po si u zhduk gjithëçka kështu kaq barbarsisht?
Tregimi ’’ Shkopi i thanës,, (f. 47), me një titull të thjeshtë, në dukje të parë si i pa interes leximi, mirëpo gabohesh sepse sa të lexosh rrjeshat e parë, do të kapërthehesh me personazhet Gjyzel Tekiun dhe Azem Lokën etj. dhe nuk do të mundesh t’a mbyllësh librin e shkrimtarit Skarra ‘’Vdekja e engjëllit,, nga duart. Ngjarja zhvillohet në një fshat. Një plak si Azem Loka që ‘’…shquhej për mend, për pushkë dhe për sofër…,,(f.48) Ndërsa kur i cënon dinjitetin, kur kërkon t’a poshtrosh, ai të përgjigjet pa u tut, pa ju trembur syri, ball lartë: ‘’Mba vesh këtu, kapedan! Ti nuk je shqiptar, se shqiptarët e dinë mirë se burrat nuk preken me dorë, ato vriten me plumb. E ke në dorë koburen, – zbërtheu këmishen dhe hapi gjoksin…,, (f. 58) Dhe kështu ndodhi : ‘’… ai ra si lis para këmbëve të tij.,, (f. 58) Lufta ishte egërsuar shumë, ndërsa vrasësit gradoheshin. Dhe ja lexojm: ‘’Gjyzel Tekiu u gradua Major!,, (f. 89)
Sapo të njihesh me Bora Markun, kalvarin e jetës së saj sterr të zezë, në tregimin ‘’Dhëmbët e qenit,, (f. 67) do të torturohesh shpirtërisht, do të vuash deri në palcë sëbashku me atë. Ajo si trimërshë e urtë e kërrusur nga jeta, i ruan brenda vetes ato, por shkrimtari me kujdes, natyrshëm, i nxjerr ato para lexuesit me dialogje e përshkrime rrëmbyese. Lexuesi mbetet i shastisur duke lexuar në mes rrjeshtave të tregimit. Dhe ja një pjesë e tij tundues, kur ‘’ të lumturit,, jashtë kampit të përqëndrimit tundnin flamujt e fitoreve: ‘’Në atë geto ‘’popullsia,, që në më të shumtën ishin gra, vajza , fëmijë, në moshën e adoleshencës dhe pleq të rraskapitur.,, (f.70) Duke lexuar tregimin e mësipërm do t’a ndjesh thellë dhimbjen, do t’a urrresh pa kufi egërsinë e luftës. Natyrisht ato do të duken reale, të prekshme, te gjitha veprimet, sjelljet, ngjarjet, në këto burgje torturash, fizike, psiqike, morale të shkaktuara nga ‘’…dhëmbët e qenit shtet, dhëmbët e luftës së klasave…,, (f.73) Pasi mbaron së lexuari do të mbeten në hojet e kujtesës dy anët e medaljes të një sistemi politik, ekonomik që si lindi, perëndoi. Sigurisht kjo është meritë e penës së shkrimtarit Skarra.
Një botë e re peisazhesh natyrore e personazhesh, ndërthur me ngjarje që të megnetizojn, të shtërngojn fort pas vetes, do të ndeshësh te tregimit ‘’Tatiana ,, (f. 100). Po japim për lexuesin një pjesëz të natyrës te ky tregim për të kuptuar e ndjerë se me sa hollësi, butësi, ambëlsi e ngrohtësi e përshkruan shkrimtari. Lexojm: ‘’Për romantikët, bardhësia e saj (borës S.M.) sjell emocionet e një hareje që të gëzon, tek sodit atë vallëzim marramendësh të kristaleve të bardha që të mahnitn me bukurinë e rrallë.,,(f. 100) Në lexim e sipër, njihesh me një skalitje karakteresh, me një dialog te kursyer, të ‘’shkathët,, por që të fut në botën e brendëshme e konceptet e botës shpirtërore të gjeologëve sovjetik,‘’…Nikolai Aleksejev, shoqja Tatiana Nikolajeva dhe…Dimitër Gagin…,, (f. 102) Më pas do të njihesh me plotë elegancë me dashurinë që lind në mes gazetarit Agim Bejto dhe Tatianës. Një marrdhënie që të ngazëllon, që të emocionon, që të mban ngjitur pas çdo fjale, rrjeshti e faqeje. Lexojm: ‘’Partneri i saj po aludonte për perspektivën, për një lidhje serioze dhe të gjatë, ndërsa ajo në këto çaste priste duart dhe buzët e tij t’a ngrohnin dhe t’a gjallëronin.,, (f. 114)
Shkrimtari Skarra edhe në tregimet me subjekt dashurie ka një kandvështrim mjaft të hollë, delikat, rrëmbyes, tërheqës, të ngrohtë duke të futur natyrshëm në pjalmin e veprimeve. Dhe ja po japim vetëm një pjesë nga dy të dashururait e tregimit ‘’Vdekja e Engjellit,, (f.187) atë të Kreshnik Bogës me Engjëlla Durin, dhe ja lexojm: ‘’U mahnit nga bukuria e saj që lëshonte një dritë vezulluese. Sytë e saj të shkruar ishin magjepsës. Të butë dhe të pastër. I ngjante një gonxheje trëndafili që sapo ka nisë të çelë.,, (f.195) Ndjesi të tilla, situata të njejta me përshkrime befasuese, tepër emocionuese do të gjejm edhe te tregimi ‘’Endrra që priten,, (f. 229)
Autori i tregimeve me tematika të ndryshme të vendosur në nje hark kohor edhe shekullor nuk na lenë pa hyrë thelle në botën e pasur shpirtërore të protogonistëve të tregimeve. Sigurisht në psikologjinë e tyre, ku si një kirurg i zoti autori na zbulon prirjet, veset, reagimet e tyre. Po japim një shembull marrë nga tregimi ‘’Përrallë për lumturinë ,, (f. 125) Dhe ja lexojm: ‘’Ky plak i urtë dhe i panjohur i hyri në zemër të zotit të shtëpisë. Solli besim tek ai dhe ndjeu një nevojë të brendshme të rrëfehet, t’a nxjerr jashtë atë dhimbje të stërmundimshme që po i hante shpirtin.,, (f. 128)
Megjithë mjeshtrinë artistike të një tregimtari duke përdorur një fjalor të pasur nga gurra popullore, autorit nuk i kanë shpëtuar pa u shkruajtur në tregimet edhe fjalë të huaja. Ato mund t’i zëvendësonte lehtësisht e paqësisht. Po japim disa prej tyre: grotesk, sarkazëm (f. 30) providencë, fasada (f. 127) adolishent (70), komplimenti (f. 83), zenit (f. 85) konfirmim (f. 223) supersticioz (f.225) evidentuar (f. 244).
Edhe personazhi i tregimi ‘’Përrallë lumturisë,, (f. 125) shtegtari Gafur Zeberi ‘’I ra botës në këmbë kryq e terthor, u rropat me vite midis njerëzve të të gjitha shtresave njerëzore: te varfanjaku, bujku, tregtari, zyrtari e deri te i kamuri.,,(f.125) Edhe lexuesi i librit me tregime ‘’Vdekja e engjëllit,, do të lexoi tregime me tematika të ndryshme, me heronj tregimesh të shtresave e profesioneve të shumta dhe do të bekoi shkrimtarin për krijimin e këtyre figurave që të kulturojn, të mësojn, të emocionojn. Pra do të gëzohesh, lumturohesh, përgjërohesh, hidhërohesh do të ndjesh kënaqesi. Rrjedhimisht kjo është ‘’pasuria,, që t’a dhuron një penë e tille, si e shkrimtarit Shaqir Skarra. Ky me këtë vëllim me tregime të shtynë natyrshëm të shkruash: vazhdoni në udhën e tregimtarit.
02.12.2025