– Nga Besnik Gjonbrataj –












Udhëtimi im i fundit në Kosovë, së bashku me një grup kallaratas me banim në Tiranë (Bakon, Anilën dhe Luizën), përveç emocionit të veçantë që mbarti nga takimi me vëllezërit kosovarë, më dha edhe një ndjesi tjetër, atë të krenarisë për mënyrën se si ruhet historia dhe kujtesa kombëtare.
Përveç vizitës në Prekaz, pranë varrit dhe kullës së Heroit Legjendar të Kosovës dhe gjithë shqiptarisë, Adem Jasharit, këtij luftëtari trim dhe udhëheqësi të UÇK-së, më preku vizita në fshatin Drenoc të Komunës së Rahovecit, vendlindja e mikut tim, profesorit Bedri Zyberaj, një personalitet i njohur në fushën e arsimit, krijimtarisë dhe historisë, luftëtar dhe drejtues i UÇK-së, një mik i njohur dhe i veçantë i Kallaratit, pasi në vitin 2024, profesori vizitoi “Kallaratin e Vjetër”, fshatin e djegur nga andartët grekë më 1914-ën dhe mori pjesë në “Takimin e Brezave”, event që organizohet në muajin gusht të çdo viti.
Ai takim dhe ajo vizitë e prof. Bedriut, u bë shkas që dhe ne ta vizitonim fshatin e tij në udhëtimin tonë të fundit në Kosovë dhe u krijua një lidhje e këtyre dy fshatrave (Kallarat – Drenoc) me fat e shpirt të ngjashëm patriotik e atdhetar, ndaj dhe ndjenja e lidhjes shpirtërore e historike mes Drenocit dhe Kallaratit m’u duk edhe më e fortë, gjatë kësaj vizite.
Drenoci është një vend me rrënjë të thella patriotike, një nga qendrat e njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku fryma e lirisë dhe krenarisë kombëtare ndihet në çdo hap.
Por, përveç historisë, më magjepsi pamja e vreshtave të pafundme, që shtriheshin përreth fshatit si një det i gjelbër dhe i artë, që ndryshon ngjyrë me stinët. Ato vreshta janë burimi i verës së famshme të Rahovecit, të njohur e të kërkuar në Evropë e më gjerë, e që sot prodhohet në kantina moderne e të shumta që ruajnë traditën shekullore të verëtarëve rahovecas.
Ato vreshta nuk janë thjesht ekonomi, janë fryma e punës, qëndrueshmërisë dhe dashurisë për tokën. Janë arsyeja pse banorët e Drenocit nuk largohen nga fshati i tyre: sepse kanë punë, kanë dinjitet, kanë trashëgimi, janë punëtorë të zotë, që e mbajnë jetën gjallë me duart e tyre.
Sipas një statistike të vitit 2016, Drenoci kishte 278 ekonomi familjare dhe një popullsi prej 2,173 banorësh (268 banorë për kilometër katror). Prej tyre, 1,170 rezidentë që jetojnë e punojnë aty në Rahovec; 83 banorë që punojnë në qytete të tjera të Kosovës, por kthehen çdo fundjavë e çdo pushim në fshat; ndërsa 920 jetojnë në kurbet, në vende të ndryshme të Evropës, por asnjë nuk e harron Drenocin, pasi në verë, por dhe për festat e fundvitit, pothuaj të gjithë kthehen në shtëpitë e tyre. Edhe pse prej vitesh mund të jenë në emigracion, për të mos shpopulluar fshatin, të gjithë kanë ndërtuar nga një vilë të bukur.
Drenoci, që u dogj nga serbët në vitin 1998, siç u dogj edhe Kallarati nga andartët grekë në vitin 1914, janë dy fshatra me histori gati të njëjtë. Banorët e tyre ndiejnë sot një krenari të heshtur, sepse të dy fshatrat u rilindën dhe u ringritën më të bukur, më të fortë dhe më të bashkuar.
Në Drenoc, përveç vreshtave dhe punës, drenocarët ndërtuan edhe kujtesën e tyre historike. Në zemër të fshatit ndodhet shkolla fillore “Vëllezërit Frashëri”, e cila ka dy objekte. Shkolla e parë në këtë fshat është hapur më 1928 në gjuhën serbe, ndërsa objekti është ndërtuar në vitin 1935 nga ish-Mbretëria Jugosllave. Në këtë objekt, mësimi në gjuhën shqipe ka filluar në vitin 1941 me mësues nga Shqipëria dhe deri në vitin 1970, kjo shkollë ka qenë paralele e ndarë e shkollës së Rahovecit. Më 1970, shkolla e Drenocit pavarësohet si shkollë fillore dhe i vihet emri kuptimplotë dhe domethënës “Vëllezërit Frashëri”, që e mban edhe sot e kësaj dite. Në vitin 1984, në të njëjtin oborr u ndërtua objekti i ri i kësaj shkolle sepse kishte numër të madh të nxënësve dhe godina e vjetër nuk kishte klasa të mjaftueshme për numrin e fëmijëve të Drenocit dhe fshatrave për rreth që vinin në këtë shkollë për të nxënë dituri.
Pas çlirimit, në Drenoc është ndërtuar edhe Shtëpia e Kulturës “Feim Gashi”. Feimi ka qenë inxhinier i bujqësisë dhe luftëtar i UÇK-së i vrarë më 27 maj 1998, tani Hero i Kosovës.
Aty afër ngrihet edhe një memorial për dëshmorët e UÇK-së, ku ishin gdhendur emrat e bijve të këtij fshati që dhanë jetën për lirinë e Kosovës: Mensur Sefer Zyberaj, vëllezërit Bedrush Avdi Gashi dhe Feim Avdi Gashi, Esherefedin Rexhep Kastrati, Isuf Reshit Berisha, dhe Tafil Nuhi Zyberaj.
Ndërkaq përballë këtij memoriali, si për t’i bërë roje, rrinin shtatoret e luftëtarëve të UÇK-së, tani heronj të Kosovës, vëllezërve Bedrush e Feim Gashi.
Shkolla e re ishte e bukur, moderne dhe funksionale, por ajo që më emocionoi ishte fakti se shkolla e vjetër e vitit 1935 qëndronte aty, e restauruar ndër vite dhe e kthyer në muze. Një ndërtesë që ruante brenda saj kujtesën e brezave, duke mbajtur mbi supe historinë e arsimit në fshat dhe figurat e shquara që kishin dalë prej saj: juristë, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, politikanë, gazetarë, shkrimtarë, aktorë, piktorë, këngëtarë, policë, ushtarakë e shumë profesione të tjerë.
Ky muze nuk ishte ngritur nga një institucion shtetëror apo me fonde të mëdha, por nga dashuria, pasioni dhe përkushtimi i një mësuesi të thjeshtë, z. Nazmi Berisha, mësues i gjeografisë. Së bashku me nxënësit e tij, ai kishte mbledhur e sistemuar fotografi të vjetra, mjete pune, objekte arkeologjike, dokumente të rralla, madje edhe uniforma të UÇK-së.
Nëpër stendat e muzeut shpalosej rrugëtimi i gjatë i popullit të kësaj zone, një muze i gjallë i historisë, arsimit dhe patriotizmit.
E gjithë kjo frymë ndjenje e përbashkët kombëtare ishte dëshmi se ndjenja e krenarisë dhe kujtesës në Kosovë është rritur shumë, falë sakrificës dhe frymës së UÇK-së.
Ky muze vizitohej nga shumë njerëz, vendas e të huaj, që kërkonin të njihnin shpirtin e Kosovës. Një muze i gjallë, që tregon me krenari se arsimi dhe atdhedashuria ecin bashkë.
Dhe pikërisht aty, në atë moment, mendja më shkoi te shkolla ime në Kallarat, çelur në vitin 1916, shumë vite më parë se shkolla në Drenoc, por e mbyllur në vitin 2004, ndërsa shkolla në Drenoc vazhdon të jetë e mbushur me nxënës të fshatit, por edhe të fshatrave fqinjë, paçka se edhe këtu kishte rënë ndieshëm numri i nxënësve në krahasim me të kaluarën.
Shkolla në Kallarat, nga një ndërtesë që dikur buçiste nga zërat e fëmijëve, nga këngët, nga përgatitjet për festa, nga mësuesit që punonin me shpirt, sot ajo qëndron e heshtur dhe e braktisur. Që nga mbyllja e saj për mungesë nxënësish, ajo po degradohet çdo ditë. Por historia e saj, si drita që s’shuhet, ende jeton.
Në atë shkollë, dikur ishte ngritur një muze modest për fshatin e Kallaratit, ku tregonte historinë nga kohët më të hershme e deri në ditët e sotme, duke evidentuar edhe historinë e zhvillimit të arsimit me fotografi, dokumente e kujtime nga viti 1916, kur u çel shkolla e parë shqipe në Kallarat, e deri në vitin 2004, kur ajo u mbyll.
Fatkeqësisht, pas viteve ’90 muzeu, ashtu si edhe shumë objekte të tjera social-kulturore, u prish. Edhe ato pak materiale që shpëtuan, falë kujdesit të disa mësuesve që i ruajtën me dashuri në shtëpitë e tyre apo në zyrat e fshatit, nuk dihet ku janë.
Sot, muzeu nuk ekziston më…, por kujtesa ekziston. Prandaj shtroj pyetjen: A mund ta ringremë muzeun? Nëse jo në përmasat e dikurshme, të paktën të ngremë një muze për historinë e shkollës sonë, që të ruajmë kujtesën e brezave të dijes, mësuesve e nxënësve që e mbajtën ndezur dritën e arsimit në Kallarat për gati një shekull.
Është koha për reflektim dhe më shumë dashuri ndaj historisë, arsimit dhe rrënjëve tona, sepse një fshat që ruan kujtesën, ruan shpirtin e vet. Një shkollë që kujtohet, nuk shuhet kurrë.
Kujtesa ndaj historisë dhe figurave të shquara është detyra jonë ndaj brezave që do të vijnë.
– Besnik Gjonbrataj –