Eva Gjoni

“Njeriu që na mungon më shumë është ai që na përfundon.”
Te mendoj, i tha Ana…
— Vërtet? — i tha Ai. — Po si më mendon?
Të mendoj sa herë që nuk më duhet të flas, sa herë jam në qetësi. Këto kohë jam bërë e heshtur dhe flas me ty gjithë kohës.
A është normale kjo gjë? — pyeti Ana dhe vazhdoi.
Nuk kam gjëra më të rëndësishme për të menduar!!! Kam nevojë të ndihem mirë. Dua të mendoj diçka të bukur… Jam e lodhur nga e përditshmja, nga angazhimet, nga përgjegjësitë dhe kërkoj qetësi, një lloj paqeje që ta jep mendimi për njeriun që ndjen. Apo është ajo gjendje që ke nevojë për ndryshim, e kërkon me ngulm, do t’i japësh jetë ditës tënde, ndjen frikën e viteve dhe kapesh fort pas çdo mundësie që të duket diçka ndryshe!!!
Jo. Është ajo që ti ke kërkuar gjithë jetën. Në çdo veprim ke dashur reagimin e tij, në çdo njeri ke kërkuar atë, në çdo ndjesi ke pritur të shfaqet ai. Ti e ke krijuar ngadalë, pjesë-pjesë, atë njeri që është si ty, që ti e njeh. Nuk ke nevojë të flasësh ndryshe. Ai njeh gjuhën tënde të syve, të trupit, gjuhën tënde të mendimeve.
Me të, je ti, si gjithmonë. Me atë qenie që e mbart me vete. Dhe vjen një moment dhe ajo shkëputet për të qenë ballë përballë me ty. Ti e shikon, e njeh dhe do t’i dëgjosh zërin që e ke dëgjuar vetëm në kokën tënde. Shikon sytë që të njohin, prekjet që të kanë ngrohur në imagjinatë. Ndjen puthjen dhe përqafimin tënd , janë të tuat. Ty vetëm ashtu mund të të puthësh. Vetëm atëherë prekja e buzëve quhet puthje. Ai shtrëngim i trupit nga krahët e tij është përqafimi që trupi kërkon dhe kupton se je ti.
Kur të mendoj, filloj të zvogëlohem, humbas dhe kthehem në një pikë. Nuk ekzistoj. Unë, ajo pikë që lëviz brenda teje ngado, përshëndes çdo qelizë, flas me to, luaj, qesh. Jam një nga to. Jam qeliza jote.
Kur jemi bashkë, nuk e gjej veten përreth; ajo struket te ty. Marr frymën tënde, kam shikimin tënd.
Këto mendoj, por edhe shumë gjëra të tjera që janë të miat dhe nuk t’i them. Mos m’i kërko. Ato e humbasin magjinë kur duhet t’u japësh fjalë, t’i nxjerrësh jashtë. Ato janë si tinguj që i dëgjoj vetëm unë… është rrymë tejshkurse.
E di kush është pjesa më e bukur e kafesë që pimë?
-Jo, kush mund të jetë… diçka që të pëlqen në ato minuta bisede? S’e di?
Është pjesa kur çohemi dhe bëjmë një pjesë rruge bashkë. Hapat tanë pranë njëri-tjetrit, një ritëm i njëjtë, lëvizje së bashku. Aty të ndiej që jam me ty… pa folur. Në atë heshtje ka mijëra fjalë.
Ndonjëherë nuk dashurojmë tjetrin, dashurojmë qetësinë që bëhemi pranë tij.