
Osman Osmani personalitet i veprimtarisë kombëtare dhe humane
Osman Osmani u lind në qytetin e Prishtinës në vitin 1957, nga babai Zeneli dhe nëna Zahide. Gjyshërit e Osmanit kishin ndërruar vend, nga fshati Sekiraqë i rrethit të Kurshumlisë, së pari në Orllan e aty kah viti 1936 për në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë në lagjen e quajtur të Muhaxhirëve. Osmani shkollën fillor e mbaroi në Prishtinë në vitin 1971, ndërsa studimet i vazhdoi në Akademin Pedagogjike në Prishtinë, të cilën Akademi e mbaroi me sukses në vitin 1976. Osman Osmani kishte studiuar edhe në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës gjatë viteve 1878/ 1981, por për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare për të qenë më sekret, ai u arratis nē nëntor të vitit 1981. Gjatë viteve 2006-2009 Osmani ishte këshilltar në parlamentin kantonal të Shafhausenit, duke u bërë kështu deputeti i parë me prejardhje shqiptare i zgjedhur në një parlament kantonal zviceran. Nga viti 1996 ka qenë ligjërues në shkolla të larta mbi historinë e migracionit nga Evropa Juglindore me temat të migracionit e të integrimit… Osman Osmani personalitet në shërbim të atdheut Atdhetari, ai ishte angazhuar herët në veprimtarinë kombëtare që nga vera e vitit 1975, bashkë me shokë: Rexhep Maqedoncin, Avdullah Prapashticën në grupin ORA që ky grup i kishte parapri Organizatës ilegale, pēr Republikën e Shqiptare, të Partisë Komuniste Marksiste Leniniste të Shqiptarëve në Jugosllavi (PKMLSHJ). Veprimtaria ilegale e PKMLSHJ mbështetej në synimin e unifikimit të gjithë shqiptarëve në një platformë kombëtare me veprim të përbashkët politik, prandaj në rrethana tē ngjarjeve të kohës u përpilua edhe platëforma politike për të ecur përpara drejt shtigjeve të lirisē për bashkim kombëtar si e drejt natyrore legjitime. Për realizimin e objektivave të cilat çojnë në rrugën e lirisë duhej të veprohej me shokë të besuar si: Adem Dërvisholli me vëllain e tij Afrimin, Kadri Cakinqi si dhe tre vëllezërit: Nysret, Bahrir e Naser Ahmeti, Adem Prapashtica, Lekë e Gjon Nikolla, Ramiz Gashi e Hilmi e Halil Mehmeti, Skënder Ibishi, Haki Januzi, Adem Krasniqi, Osman Bytyqi, Shaban Nasufi e të tjerë. Veprimtari i çështjes kombëtare, Osman Osmani, kishte vepruar edhe gjatë shërbimit ushtarak në armatën jugosllave për të shtuar veprimtarinë në shërbim të çështjes kombëtare, ndër të cilët ai veçon Sylejman Metën nga fshati Krojmir. Atdhetarët, Osmani Osmani dhe Abdullahu Prapashtica vepruan pa ndalur për zgjerimin e grupit përmes përfshirjes anëtarëve të familjeve dhe farefisit të tyre. Grupit në PKMLSHJ vepronte edhe përmes kulturës, përmes këngëve dhe valleve duke paraqitur preokupimet jetësore për shkëputjen e prangave nga robria serbo-sllave. Kordinimi i partisë ilegale, nē vitin 1978, i PKMLSHJ ishte shtërirë edhe në Ferizaj me rrethinë sidomos te rinia në krye me Faton Topallin, Fatmir Bajramin, Agron Ramadanin si dhe veprimtarë të tjerë të rinj. Në zgjerimin e radheve të organizimit, grupi bashkëveproi me Rexhep Maqedoncin, Osman Lutfiun, Fatmir Grajqevcin si kuadra të angazhuara nga Abdullah Rexhepi. Në vitin 1981 ishte kërkesa, e postuar me shkrim në institucionet e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) si dhe në federatën jugosllave, për Republikën Socialiste Shqiptare në kuadër të RSFJ-së, që ishte bërë publike edhe përmes demonstruesve gjatë vitit 1981 Nisma organizative PKMLSHJ daton që nga viti 1975, ndërsa themelimi formal i organizatës ndodhi në verën e vitit 1978 në Prishtinë, në një mbledhje solemne që u drejtua nga Adem Prapashtica, Osman Osmani dhe Abdullah Prapashtica, pjesëmarrës ishin edhe Rexhep Maqedonci, Skënder Ibishi, Nysret Ahmeti, Kadri Cakiqi, Fahrije Osmani, Faton Topalli dhe Lutfi Maqedonci. Në këtë mbledhje u miratua platforma politike, si dhe u përcaktuan objektivat strategjike dhe organizative të lëvizjes, e cila lëvizje e PKMLSHJ funksionoi si një organizatë ilegale me një strukturë të bazuar në sistemin e “dhjetësheve”. Në vitin 1979, organizata publikoi një përmbledhje dokumentesh të titulluar “Teoria dhe Praktika e Revolucionit”, e cila përfshinte Programin, Statutin dhe Instruksionet për punë praktike. Kjo përmbledhje përbënte një platformë politike të mirëfilltë për krijimin e Republikës së Kosovës, duke kërkuar transformimin e statusit të shqiptarëve nga kombësi në komb shtetformues, si dhe bashkimin e krahinave shqiptare në një republikë të vetme brenda federatës jugosllave. PKMLSHJ parashihte një strategji trefazore për realizimin e objektivave të saj: 1. Faza paqësore – kërkesa drejtuar organeve legale të Kosovës dhe federatës për njohjen e statusit të republikës. 2. Faza e presionit politik – mobilizimi popullor përmes demonstratave, grevave dhe tubimeve. 3. Faza e rezistencës së armatosur, nëse do të dështonte rruga paqësore, atëherë do të kërkohej ndarja përfundimtare nga federata dhe krijimi i një shteti të pavarur shqiptar. Roli i Shqipërisë dhe kufizimet e saja: PKMLSHJ theksonte domosdoshmërinë e pavarësisë organizative dhe ideologjike nga Partia e Punës së Shqipërisë (PPSH), duke vlerësuar se Shqipëria, për shkak të pozitës së saj ndërkombëtare dhe politikës zyrtare të mosndërhyrjes, nuk mund të përfaqësonte realisht çështjen e Kosovës në forume ndërkombëtare. Rrjedhimisht, lëvizja politike në Kosovë duhej të artikulohej përmes një subjekti të pavarur e autentik politik. Kërkesat publike dhe aktivitetet tjera konkrete: Në fillim të vitit 1978, edhe si përpjekje për përafrim të forcave politike, si atyre në pushtet ashtu edhe atyre patriotike që vepronin në fshehtësi, u përpilua informata analitike mbi gjendjen e përgjithshme ekonomike e politike në Kosovë në të cilën bënim publike edhe ekzistencën e organizatës sonë dhe synimet e saja. Pas gjashtë muajsh përpiluam edhe informatën e dytë të ngjashme. Që nga periudha e konstituimit formal, organizata nisi hartimin dhe shpërndarjen e materialeve politike: 1. Me 1 mars 1979, PKMLSHJ i drejtoi disa herë me shkrim kërkesat e saj për republikë institucioneve krahinore të Kosovës dhe federatës jugosllave. Ndër dokumentet më të rëndësishme janë “Informatat për situatën politike dhe ekonomike” të dërguara Kryesisë së LKK të KSA të Kosovës dhe Presidentit jugosllav Titos. 2. Më 30 maj 1979 dërgohet një tjetër dokument me titullin “Për situatën politiko-ekonomike”, që i drejtohej strukturave politike shqiptare në Jugosllavi. Në këto dokumente, PKMLSHJ formulonte katër kërkesa kryesore: Bashkimi i krahinave shqiptare në RSFJ, • Pavarësi territoriale nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, • Pavarësi politiko-ekonomike nga republikat tjera, • Formimi i Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. Pas demonstrtave të vitit 1981 Osmani bashkë me disa drejtuesë të Organizatës PKMLSHJ bashkëpunoi edhe me Hydajete Osmanin e Arban Hoxhen si dhe me rrethin e bashkëveprimtarëve të Fatmir Grajqevcit, si Skender Vardarin, Sabit Gashin e Ahmet Islamin në Prishtinë. Njëkohëisisht Osmani bashkëpunonte me Shyqeri Gjinollin dhe Vahedin Azemin që kishin formuar me shokë “Bazën” e kësaj Partie në Sllatinë të Epërme për përpunimin dhe shpërndarjen e materjalit propagantistik në Ferizaj, Viti e Kaçanik. Pas kërkimeve dhe burgosjeve të para në radhët e PKMLSHJ në Shtime dhe Ferizaj, pas demonstratave të pranverës së vitit 1981, Osman Osmani u arratis në Turqi në nëntor 1981 së bashku me Faton Topallin, Nazmije Sylën dhe Abdullah Prapashticën. Gjatë një viti qëndroi me ndërprerje në familjen Kongjeli (Sezer) në Ankara, për një kohe të shkurtër në familjen e Sabri Novosellës në Adapazar dhe familjen e Tefik Strajës (Saracoglu) në Pendik, Stamboll. Më 17 shkurt 1982, Osman Osmani ishte bashkëthemelues i Lëvizjes për Republikë Shqiptare (LRSSHJ) në Ankara. Pas themelimit të LRSSHJ-së, ai u transferua me aeroplan në Gjermani, ku jetoi për një vit me ndërprerje. Në Gjermani fillimisht ishte vendosur në familjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës (në Untengrupenbach pranë Helbronit), më pas u strehua në banesa të punëtorëve shqiptarë në fabrikën e Mercedes-it në Sidelfingen/ Boblingen, Bitigheim/ Biesingen pranë Ludwigsburg-ut dhe më vonë në banesën e Nysret Hajdarit, Hasan Veselit dhe Nuhi Sylerjmanit në rrethin e Shtuttgardit. Në vitet 1982-1983, Osman Osmani ishte bashkë-redaktor i numrit të fundit të gazetës “Zëri Kosovës”, organ i LNÇKVSHJ dhe numrit të parë të “Zëri Kosovës”, organi i LRSSHJ-së. Osman Osmani në nëntor 1983 kërkoi strehim politik në Zvicër dhe u vendos në qytetin e Shafhausenit. Ai është i martuar dhe baba i katër fëmijëve. Në vitin 1999 mori shtetësinë zvicerane. Prej vitit 1995 punon zyrtarisht si punëtor social profesionist. Nga viti 1983 deri në 1987 ishte bashkë-redaktor i gazetës “Punëtori”, organ i BPSHK në kuadër të LRSSHJ-së. Në vitin 1987, Osman Osmani ishte iniciues dhe bashkëthemelues i Klubit të parë shqiptar në Shafhausen dhe rrethinë, me emrin “Rilindja”. Në vitet 1989/ 1990, ishte bashkëthemelues i degës së parë të LDK-së në Shafhausen dhe më gjerë në Zvicër, dhe mbështeti krijimin e degës së parë të LDK-së në Londër, Angli. Në vitin 1991 themeloi Bashkësinë Shqiptare të Shafhausenit me rrethinë dhe nga viti 1991 deri në 1992 ishte bashkë-redaktor i gazetës “Fjala Jonë”, organ i kësaj bashkësie, ndërsa numra të tjerë të saj u botuan edhe në vitet 2001-2003. Gjatë viteve 1991-1995, si këshilltar vullnetar shërbeu në Qendrën Kontaktuese Zviceran-Të Huaj në Shafhausen, ndërsa në periudhën 1993-1998 ishte anëtar i kryesisë së qendrës së përbashkët të Shafhausenit. Në vitin 2001 themeloi Shoqatën për shkëmbim kulturor zvicerano-shqiptar “Korza”. Ai ka qenë gjithashtu gjithmonë aktiv në këshillimin dhe mbështetjen e strukturave dhe individëve brenda komunitetit shqiptar dhe më gjerë. Osmani Osmani në Zvicër e vazhdoi arsimin në fushat psiko-sociale (1994-1995 në Cyrih), me studime post-diplomë në Programim Neurolinguistik në Will SG (1996-1998), ku fitoi titullin Trajnues për Debriefing-un psikologjik. Më pas u diplomua animator socio-kulturor në HFSSKA Cyrih (1998-2001), mori titullin dhe diplomën e përgjithshme për punë sociale në Bernë (2007) dhe përfundoi kurs post-diplomimi në ZHAW për udhëheqje personeli dhe aftësim praktikantësh (2009-2010). Në aspektin profesional në Zvicër, ka punuar në fushat më të ndryshme: ndërmjet viteve 1984 dhe 1986 në gastronomi (kamariere në Bahnhof Büffet në Shafhausen), 1987-1989 në industrinë e tekstilit në Feurthalen (afër Shafhausenit), 1990-1995 në Hekurudhat e Zvicrës si asistent treni. Më vonë, prej vitit 1995 deri 2005, bashkëpunoi në Shërbimin Psiko-Social të Organizatës për Azil në Kantonin e Cyrihut (PSD/AOZ) si bashkëpunëtor projektesh dhe prej 2005 deri 2010 drejtoi punën e hapur me rininë në Cyrih (Affoltern). Që nga viti 2010 vazhdon aktivitetin e tij si sekretar sindikal për migracion në sindikatën Unia, duke u përqendruar në Evropën Juglindore. Në fushën e angazhimeve politike, Osman Osmani ka shënuar histori të rëndësishme në Zvicër. Gjatë viteve 2006-2009 ishte këshilltar në parlamentin kantonal të Shafhausenit, duke u bërë kështu deputeti i parë me prejardhje shqiptare i zgjedhur në një parlament kantonal zviceran. Nga viti 2012 është këshilltar në parlamentin e qytetit të Shafhausenit. Angazhimi i tij politik ka qenë gjithnjë i motivuar nga dëshira për të mbrojtur interesat e komunitetit shqiptar dhe të huajve, si dhe për të sjellë eksperienca të reja në shërbim të shoqërisë zvicerane dhe atdheut. Deri në vitin 1987 ka qenë bashkëthemelues i Bashkimit të Punëtorëve të Kosovës, organizatë në kuadër të LRSSHJ-së. Gjatë periudhës 1987-1990 ishte anëtar aktivist i sindikatës GPTC të tekstilit, letrës dhe kimikateve, ndërsa në periudhën 1990-1995 anëtar aktivist i sindikatës së punonjësve të trenave. Nga viti 2005 është pjesë e sindikatës Unia si anëtar solidariteti. Përveç punës së tij të rregullt, Osman Osmani ka kryer përkthime zyrtare për institucione të ndryshme nga gjuha shqipe, gjermane dhe serbokoqroate, ka dhënë mësim në një projekt shkollor për fëmijët refugjatë në Shafhausen (1989-1991), ka shërbyer si këshilltar profesionist për tema të migracionit dhe integrimit në institucione sociale, arsimore dhe shëndetësore nga viti 1990. Nga viti 1996 ka qenë ligjërues në shkolla të larta mbi historinë e migracionit nga Evropa Juglindore dhe temat me migracionin e integrimin. Në vitin 1999 ka ndihmuar në trajnimet dhe mbështetjen e ndihmësve për refugjatët e luftës në Maqedoni, në bashkëpunim me AOZ dhe Fondacionin HEKS të Zvicrës. Në periudhën 2000-2001 udhëhoqi një projekt studimor me mbështetjen e Fondacionit HEKS dhe themeloi Shoqatën e lagjes së Muhaxhirëve për socio-kulturë në Prishtinë. Midis viteve 2001 dhe 2003 drejtoi projekte të ndryshme zhvillimore në Kosovë në bashkëpunim me organizata si SAH dhe HEKS. Po ashtu, në këtë periudhë, drejtoi projektin INTERNETZ për kantonin e Shafhausenit, i mbështetur nga Enti Federal i Shëndetësisë së Zvicrës dhe institucionet lokale. Nga viti 2006 deri 2009, ishte këshilltar profesional në kuadër të “Sounding-Board Migration” të Entit Federal për Shëndetësi të Zvicrës. Gjatë viteve 2007-2009 ka qenë këshilltar i institucionit “RADIX” për projektet e migrantëve në Zvicër në fushën e migracionit dhe integrimit. Në vitet 2009-2010 organizoi tri tryeza të punës për të ardhmen e diasporës shqiptare në Zvicër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Zhvillim e Bashkëpunim të Zvicrës dhe ambasadat e shteteve amë (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni). Këto përpjekje çuan në themelimin e “Kuvendit Shqiptar në Zvicër”, i cili mjerisht në mungese të mbeshtetjes institucionale nga mekanizmat e vendit amë dhe atij nikoqir nuk arriti të institucionalizohej. Që nga viti 2001, bashkë me Faton Topallin është themelues dhe aktualisht kryetar i Pro Integra, qendra profesionale për migracion, që nga fillimet e saj ka zhvilluar projekte të shumta në Shafhausen e më gjerë, të mbështetura financiarisht nga entet lokale dhe federale. Aktualisht prointegra është një portal informues shqiptaro-zviceran. Politikisht, Osman Osmani shërben si anëtar në Këshillin e Madh të qytetit Schaffhausen (2013-2015), si dhe paraprakisht ka qenë dy herë anëtar i Parlamentit Kantonal të Schaffhausenit (2006-2009 dhe 2015-2017), ku vlen të theksohet se ishte shqiptari i parë i zgjedhur si deputet i një Parlamenti kantonal ne Zvicër. Ai është nismëtar dhe themelues i strukturës së migrantëve në Partinë Socialdemokrate të Zvicrës dhe ka shërbyer si nënkryetar i saj. Nga viti 2016 deri më 2018 ka qenë anëtar i Drejtorisë Qendrore të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, duke përfaqësuar migrantët brenda kësaj partie. Në përmbyllje të karrierës profesionale në sindikatën Unia të Zvicrës, si seketar politik për migracion, përgjegjës për anëtarët e Europës juglindore, në vitin 2019 arriti fuqizimin e marrëveshjës ndërshtëtërore për Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, marrëveshje kjo e shfuqizuar njëanshëm nga ana e Zvicrës me çrast u diskriminuan me mijëra punëtore të kthyer nga Zvicra për të kaluar moshën e tretë në Kosovë dhe familjarët të tyre. Rifuqizimi i kësaj Marrëveshje shënoi një ndër fitoret dhe historitë e sukseit më të madh të sindikalistëve dhe veprimtarëve shqiptaro-zvicernanë bashkë me partnerët e tyre në Zvicër dhe Kosovë. Aktualisht pensionisti Osman Osmani është kandidat për asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinë në listën 149 të PSD të Kosovës në zgjedhjet lokale te 12 tetorit 2025, me synim që përvoja e tij profesionale e jashtëprofesionale t’i shërbej atdheut e në këtë rast kryeqytetit të Kosovës-Prishtinës, vendlindjes së tij të dashur…