Mërgimi-Urë e mallit!Migel Flor

Mërgimi-Urë e mallit!

Mërgimi është një plagë që nuk mbyllet kurrë. Është si një fletë e grisur nga libri yt, që mungon sa herë e kthen faqen. Është një rrugë e gjatë pa kthim, ku çdo hap që hedh të shpie larg, por asnjëherë nuk të largon nga rrënjët. Ato rrënjë të mbajnë pezull mes dy botëve: në një dorë mbart shpresën e së nesërmes, në tjetrën mallin që nuk shuhet asnjëherë.

Dita nis me dritare të huaja, me tinguj që nuk janë të tuat, me gjuhë që s’është gjuha jote, por zemra gjithmonë rreh në ritmin e vendlindjes. Shikon njerëz që ecin pranë teje, por asnjëri prej tyre nuk e di se çfarë mbart brenda, nuk e di se sa herë në heshtje i flet vetes me zërin e fëmijërisë, sa herë kërkon aromën e bukës së nënës, sa herë e dëgjon në kujtim zërin e babait.

Mërgimi është një urë e brishtë, ku njeriu mëson të jetojë me dy shtëpi dhe me asnjërën plotësisht. Zemra kthehet gjithmonë mbrapa, tek oborri i vjetër ku gjurmët e fëmijërisë nuk i shlyen as koha, as largësia. Por trupi endet këtu, mes botës që të pranon vetëm për atë çfarë jep, jo për atë çfarë je.

Në mërgim njeriu mëson të qajë pa zë, të qeshë me mall, të jetojë duke e mbajtur dhimbjen si një shok besnik. Ai mall është i rëndë, por është edhe dritë, sepse të kujton se ke një vend ku përket, një truall ku emri yt është thirrje, jo vetëm fjalë.

Mërgimi është rruga e gjatë e sakrificës, por edhe prova më e madhe e dashurisë për vendin tënd. Dhe sa më larg të shkosh, aq më pranë e ndien, sepse brenda teje ai truall nuk shuhet kurrë, është gjaku yt, është fryma jote, është plagë dhe bekim njëkohësisht.

Mërgimi!

Udhët pa fund më shtruan këmbët,

larg shtëpisë, larg diellit tim,

me valixhe plot kujtime të vjetra,

dhe mall që s’ka kufi as dimërim.

Në dritare shoh një qiell të huaj,

që s’di këngën e zogjve të mi,

as erën e fushës kur lule çelin,

as zërin e nënës që pret aty.

Mërgimi është bukë e kripur,

që hahet me lot dhe mall,

është një urë mes dy botësh,

që dridhet por s’bie kurrë poshtë.

Në çdo hap jam dyfishuar:

njëri këtu, tjetri në truall,

si degë që rritet në tokë tjetër

por rrënjët i ka në atdhe të gjallë.

Migel Flor 3.10.2025