Përherë rrojnë poetët
Nëpër këngë të ringjalljes si jehonë bjeshkësh
të përcjella prej shekujsh nëpër pranvera
rrojnë do lloje njerëzish
e vetë bëhen të përjetëshëm.
Gjithçka që u ndjen shpirti
nëpër hapat e jetës
në varg fjalësh e qesin e nëpër to ata mbesin.
Për dritën përpiqen
e për ndezjen e yjeve i ngjiten shpesh qiellit,
ndaj në prag të ekujnoksit është dita e tyre,
se e kanë lidhjen me diellin.
Dallojnë pak me njerëzit,
se për çka shohin nuk heshtin.
Shpejt qajnë për të keqen
e këndojnë si bilbilat për gëzimet e zemrës,
se miq me bilbilat gjithmonë janë poetët.
Përtërihen pranverat,përtërihen bilbilat
ashtu si vetë jeta nëpër fletë e çfletime
si jehonë nëpër shekuj bashkë me poetët.
