Përtej “çasteve” lirike, në poezinë e Ermira Ifandi-Emi Krosi

Tema: Përtej “çasteve” lirike, në poezinë e Ermira Ifandi.

Emi Krosi

Një poete tjetër femër, që jeton në Athinë përmes vëllimit poetik “Çast”, na sjell një përvojë jetësore por dhe kumtim të thellë persiatjeje dhe filozofike për jetën. Vetëm një çast. Një çast është jeta, fjala, poezia, shpirti, malli, ndiesia, ndjenja, dashuria, atdheut, humbja, dhembja, vdekja, jeta, natyra, ringjallja. Një çast përballjeje me vetëveten. Një çast është jeta. Vdekja. Një çast dhe dashuria e vërtetë. Nuk thotë kot: “çfarë e bën çasti (momenti), nuk e bën as tërë jeta”. Dhe çasti zgjodhi, poezinë, fjalën, vargun, librin. Çasti “zgjodhi” vetë çastin. Poezia “Çasti” me vargjet: ditës ia rrëmbej aromën/dhe e vendos mbi buzët e tua./Kur ti, me zjarr, të më puthësh,/do të ndiej se sot kam jetuar! (2025: 98), me shënimin: [Athinë, më 16.08.2024]. Vendodhja është e njëjtë: Athinë! Aty është dhe kontakti me poezinë jo vetëm klasike por dhe atë moderne greke.

Vargjet janë pesëvargorë, por mbisundon tercina. P.sh., tercinat v.I (pesërrokësh)/v. II, (nëntërrokësh/dhjetërrokësh)/v. III (dhjetërrokësh /dymbëshjetërrokësh) ose ndërrim vendesh. Poezitë nuk kanë rregullsi. Janë ndërtuar në formë të çrregullt. Dominimi i triptikut, distiku dhe pesëvargori. Janë përdorur të gjitha metrikat e poezisë shqipe klasike, që nga katër/rrokëshi deri tek dymbëdhjetërrokëshi, duke e ndikuar nga poezia klasike greke, por sidomos tek Seferis, sepse ndihet shumë natyra dhe domini i vetes dhe ndërgjegjes, ose më mirë aspektet sociale të jetës përtej vetëvetes, si karakteristikë e poetit grek Kavafis, por dhe sentencave të shkurtra si të Ricos-it.

Ngarkesa metaforike përmes vargjeve: varg metaforik: zogjtë e dimrit heshtën përballë klithmës së natyrës/ me lirinë në duart e shpresës!/ largësinë e pikturoj në formën e një ure, e bën poezinë dhe më dominuese, më të plotë, më shpërthyese. Ajo e çliron fjalën nga frikërat e saj, përmes dikotomisë: [ndjenjë/shpirt]. Një marrëdhënie ku përpjesëtohet me përballjet:

a) përballja me lirinë e femrës për/mbi shkrimin (poezinë), sepse liria është e shenjtë dhe

filozofia e lirisë nuk është vetë liria, por e kundërta e saj në vargjet: ti e di,/nuk i ngjaj askujt,/askujt në botën reale./Jam shpirt i lirë!(2025 :16), gjithëherë me shënimin: [Athinë, më 15.01.2025];

b) përballja me veten përmes dikotomisë shpirt/ndjenjë, sepse pesha e vetes dhe shpirtit është “mali” dhe Guri i Sizifit. Përballja me veten dhe kthimi në fëmijëri apo Kompleksi i Edipit, në poezinë “Gotë dhembjeje”: sonte, jam ulur ballë për ballë me veten./Një gotë e mbushur plot,/qëndron e paprekur në zemër të kujtimeve./Sa e sa herë e kam kthyer me fund atë gotë…/Po aq herë është rimbushur me dhimbje (2025:142), imazhi i gotës si pijetare për femrat është thjesht simboli i gotës që duhet kthyer me fund për të haruar apo “helmuar” kujtimet e këqia, duke harruar vetëveten, gruan, vajzën, nënën, bashkëshorten, gruan, poeten dhe mbi të gjitha, të gjitha dhimbjet,

c) përballja me kujtimet dhe ikjen, përmes vargjeve: shtëpia jonë e vjetër/mezi mbahej më

në këmbë,/dyert rënkonin nga ikjet pa kthim ( 2025: 53), ku braktisja e vendit dhe ikja në emigracion është, kupa e dhimbjes që derdhet.

Poezia ia kumton vetes ndenjën përmes:

– udhëtimit të brendshëm poetik,

– dëgjimit/bisedës me vetëveten,

– kumtimi i heshtjes dhe shpirtit,

– reflektimi filozofik i Qenies dhe Universit,

– raporti me vdekjen/natyrën/kohën/Zotin,

– marrëdhënien mes dritës/ndjenjës/dhembjes dhe shpirtit,

– qëmtimi i thellë i botës së brendshme njerëzore/femrore. Fjalët: mall/nënë/shtëpi/kujtim/e vjetër/liri/njeri/dashuri/zemër/rrug/ndjenjë/shpirt/ëndërr/dritë/shpresë/dilemë/mëshirë/mendim/dritë/dallgë/heshtje/vetja/dhimbja, janë fjalët çelësa të vëllimit poetik.

Në poezinë “Të çarat e shegës”, vargjet: nuk ia pashë lotin e humbjes pranverës,/as sytë e saj në frymën e fundit./I la si një plasaritje, si të çarat e një shege,/thellë në kujtimet e zemrës sime, një poezi katëvargore me një fuqi shprehëse, për përshkrimin e një fruti si shega që simbolizon:

– dëshirën seksule të gruas së pjekur (lëngu i kuq),

– pranverat e humbura të dashurisë rinore të vajzë-gruas,

– kujtimet për çastet e humbura, dhe të jetuara me pasion dhe dashuri për jetën dhe vargun,

për gruan dhe femrën për të dashurën dhe nënën, për veten dhe përtej/veten. Krahasimi me shegës dhe zemrës, [shega fruti i pasionit dhe shëndetit] dhe [e kuqja e gjakut të zemrës dhe cikli mestrual i femrës që prodhon jetën], sepse ashtu si frutat që i jep natyra falas, dhe jeta pa dashurinë/ trupin/ pa zemrën, nuk frymon dot. Nuk shmangen dot as poezia e dashurisë. Figura stilistike më dominuese është krahasimi.

sëfundmi: një poezi që duhet lexuar. Fatkeqësisht leximi është “arratisur” dhe janë shtuar botimet pafund dhe pa kriter. Kur nuk lexon, nuk mund të shkruash, sepse ka një “varfëri” poetike por dhe përsëritje, që mund të shmangen dhe pse përsëritja i jep forcë stilistike fjalës poetike. Por, letërsia e Disporës jo vetëm nuk njihet, por dhe kritika mbron fort “vetëm dinastinë autobiografike”, sepse vlerat tashmë kanë “vdekur”.

©Copyright EMI KROSI.