Poezi-Miltiadh Davidhi 

Poezi

1-Kosherja

Dhe bletët e fundit

U larguan.

Kosherja mbeti bosh.

Tashmë,

Hojet kanë mall

Për gjurmët

E fluturimeve të tyre.

2-Antivlera

Për të mbetur vlerë, vlera rrugëtoi,

E u bë ligj, shtet, ëndërr,

Dashuri, ndërgjegje, lëvizje,

U bë qënie e gjallë,

Buzë e bukur hëne,

Planet, yllësi.

Për të shkatërruar

Gjithçka me vlerë,

Antivlera u bë njeri.

3-Dëbora

Sa e bukur ishte dhe e qeshur!

U fsheh ndër gjethe,

E nëpër re,

Dhe në shpirtra pafund.

Një dhimbje e hidhur,

Fryn nëpër drurë,

Mbi ne e ku të mund.

E kërkoj dhe s’e gjej dot më.

Pas mbetën lule të thara,

Që psherëtijnë pa zë.

4-Dënesje vjeshte

Mbështeta kokën

Mbi kraharorin e një pemë

Me gjethe të zverdhura

Dhe po qaj.

Është vjeshta e njëmbëdhjetë,

Që po troket,

E nëna ime

S’mund t’i përkëdhel

Më gjethet e saj.