POEZI NGA: LULJETA LLESHANAKU

KUR DASHURIA JEP NJË SHENJË…
Ajo futet në rrjedhën e gjërave me arrogancë,
si heshtja që pason trokitjet e çekiçit të gjyqtarit gjatë seancës.
Gjithë qenia përkundet nga puhia më e vogël,
një arë e ardhur gruri
që pret për t’u korrur.
I thua vetes se je e mbrojtur,
se tashmë je vetëm një shpinë,
një shpinë e fortë, pa gjoks, pa bark, pa kërthizë
(veçanërisht pa kërthize),
si tavani i qilarit
mbi ushqimet e konservuara për dimër.
Zmbrapsem një moment,
e gatshme për tia filluar çdo herë nga fillimi, me një paletë të pastër piktori
e një vrimë të errët në mes.
E nis për të disatën herë atë rrugë,
fundin e së cilës e njoh mirë,
si prekjen metalike në xhep të fishekut
të cilin, gjatë rrethimit,
ushtari i mirë
e ruan për vete.
————-
Luljeta Lleshanaku është poete shqiptare.
Poezia e saj është përkthyer në disa gjuhë të botës dhe është shpërblyer me disa çmime ndërkombëtare.