
Nikollë Loka
Para zgjedhjeve…
Duke dashur borën për sytë,
ti zgjedh bardhësinë,
një maskë të dobishme.
Fryn ftohtë, bën ngricë,
prej akujsh krijohen stalagmite.
E duhet të presësh shumë gjatë,
që të gjesh mirëkuptim në atë pamje,
që s’të ngroh e s’të grish,
e dhimbjen ta nxjerr prapa krahëve.
Duke dashur shiun për bimët,
kërkon që dielli të rritet,
pa i marrë parasysh,
furtunat,
tajfunet,
përmbytjet.
Duke dashur një hije,
ti mendon që ditët t’i shtysh,
ëndrra të thurësh para një gotë rakie,
pastaj mbi to të pështysh.
Bota është zgjedhje
nëse mundesh,
skllavëri
nëse s’arrin ta kuptosh,
terr i zi
nëse në dilema përkundesh,
mëso të mbijetosh!
Duke dashur qiellin,
mund ta humbësh tokën,
e të lutesh pa nevojë
e pa kuptim,
pa menduar
ku do ta mbështesësh kokën.
Veç toka ta ofron një strehë
or miku im.
Në një rrugicë me hije blirësh
U harrova në një rrugicë me hije blirësh,
ku krijohen botë të reja…
M’u afrua e djeshmja e ma preku dorën,
ndërsa hijet po më ngushtonin…
Më lindi dëshira për ta parë borën,
në një fillim prilli, maj a qershori.
Në një rrugicë nën hije blirësh,
ku hijet mbivendosen si ditët,
mbivendosen dhe kohët.
Dhe nuk të bëhet të shkëputesh prej andej,
pa e ditur ç’po pret akoma.
Flladi shkon e vjen si dallgë nëpër dej,
deri në orët e vona…
U harrova në një rrugicë me hije blirësh,
ku krijohen sekonda
e nuk ndihet vetmia.
Atje, nën hije blirësh,
në mbretërinë e gjetheve të njoma.
Tjerr ëndrra të mëndafshta
Tjerr ëndrra të mēndafshta
gjithë muajin në prill,
i tjerr dhe i bën fill…
Dëshirat që deshe,
kur qave e kur qeshe
në mëndafsh i vesh,
i fsheh dhe i bën trill.
Pëlhura të mëndashta,
pranvera fort i dashka,
në maj,
për të fshehur hir.
Dhe kush i kërkon hiret e saj,
kthehet në fllad,
në zefir.
Kapërce veten tënde,
çdo herë,
kur çelin lule manxurane
jeto në një delir!
Dehu me aromë
e kalo ti asaj ane,
ta shprehësh një dëshirë!