Poezi -Nikollë Loka

Nikollë Loka

Nëse do të zgjidhja…
Nëse vitet janë numra,
nuk do të doja të numëroja gjatë,
nuk do t’i ndrroja kalendarët,
numrin do ta zgjedhja symbyllë,
në një ditë pranvere me diell.

Nëse vitet janë emra,
pafajësisht do të zgjidhte zemra,
në livadhin që s’ndryshket,
që s’prishet,
që s’vyshket.

Nëse vitet janë ngjyra,
do të zgjidhja të kaltrën e syve,
që mbetet te pasqyra,
e s’të bëhet
prej saj të ikësh…

Kthehet në dallgë gjithë ajo pamje

Kthehet në dallgë gjithë ajo pamje,
dhe perëndimi bëhet kohë,
dielli zbret,
në horizont shemben male,
lumenjtë derdhen
në një amshim të ftohtë.
Mbushet me kohë një zbrazëti,
hapet një tjetër,
dhe perëndimi bëhet frymë,
nga larg shfaqen piratë,
luftëtarë të egër,
një thirrje si jehonë edhe si britmë.
Me vështrimin pas mbeti deti,
u bë urë prej ujë,
hap në kapërcim,
frymën që merr në Ilirik
ruan me vete,
dhe e nxjerr përtej në Apenin.
Dallgët janë prej ujë edhe prej ajri,
në djerrina shpirti
digjet zjarri.

Deri te hapi im i vjetër

Kur ec me hapat e sotëm për nesër,
ku do të shkoj nuk e di,
teksa shkel një rrugë,
që e shkilnin dikur motit
kuaj të ri,
të veshur me lëkurë të vjetër,
në rrebeshe
që derdhen kodrave e brinjave
në kohë tjetër,
para se e nesërmja të vijë.

Kur ec me hapat e djeshëm për sot,
të bëj be
se do të jem aty,
ku shprishet një re,
e derdh lot,
edhe nëse kurrë s’kam qenë
e këmbët s’më mbajnë,
do t’i dëgjoj ata që qajnë,
zërat nëpër mjegull,
gjurmët që më çojnë
deri te hapi im i vjetër.