Princesha e gurit-Mina T. Qirici

Baladë

PRINCESHA E GURIT

Legjenda e Argjirosë

-Zonja ime Argjiro, princesha e kalasë sonë të argjendtë!- e tha princi me zë të butë. -Nuk dua varr ku të më qani! Nuk dua lot mbi dheun e zi.Digjmani trupin!

Hirin e kurmit shpërndaje në kullën e madhe të kalasë.

Ta marrë era në krahë dhe ta shpjerë në Malin e Gjerë, në malin e Lunxhërisë, Buretos, Sopotit; të ngjitet në majën e Papingut e të thërrasë me zërin tim:

“Kush vdes me shpatë në dorë për lirinë e mëmëdheut, nuk vdes kurrë!”

Të shpërndahet në luginën e Drinos! Ta marrë lumi me valë dhe ta çojë në det.

Dhe deti të oshëtijë:

“Për liri, vdekja është kapak floriri!”

Të ngjitet qiellit me krahë shqiponje e të brohorasë:

“Lavdia ngjitet lart!”

Porta e kalasë, zonjë ime e mirë, është e rëndë dhe e lashtë, si vetë kalaja jonë e gurtë. Nuk ka ushtri e shpatë turku ta hapë.

Ruhu nga tradhtia!

Kur lindi dielli në mëngjes dhe ndriçoi majën e Papingut, dhe veshi me dritë argjendi luginën e Drinos, princesha Argjiro e shpërndau hirin e princit në kullën më të lartë të kalasë.

Ata e quanin “Kulla e Dashurisë”.

Aty ishin njohur, ishin dashuruar, kishin vënë kurorë princi dhe princeshe.

Argjiro shtrëngoi në gji foshnjën dhe psherëtiu:

-Biri im, princi im, dashuria ime!

Bashkë do të luftojmë.

Bashkë do të mbrojmë kalanë.

Bashkë të lirë!

Kurrë të robëruar!

Tradhtia përgjonte tinëzisht brenda mureve të kalasë.

Tradhtia i ngjan këmbëve të gjarprit.

Ia tregon zvarraniku këmbët?

Një natë pa hënë, osmanët hynë në kështjellë.

-Ti do të jesh pjesë e haremit tim!- i tha kërcënueshëm pashai turk.

Argjiro vetullashkruar klithi, sa gjëmuan muret e kështjellës:

-Kurrë robinjë e turkut!

Rrëmbeu djalin në krahë. Vrapoi si vetëtima e Malit të Gjerë drejt “Kullës së Dashurisë”.

Pashai me jeniçerët e ndoqën nga pas.

Kapet era kur fryn vrullshëm në luginën e Drinos?

Fluturoi!

Me krahë shqiponje!

Me krahë lirie!

Me krahë nëne dhe princeshe!

U shndërrua në shkëmb mes shkëmbinjve.

Gjiri iu bë gur i bardhë.

Guri i bardhë pikonte qumësht.

Qumështi ushqente princin e vogël.

Në netët me dritë argjendi dëgjohet zëri i princeshës:

-Unë jam Argjiro.

Jam guri dhe qumështi.

Jam liria dhe bekimi.

Nga kjo kala, që sot e quani Gjirokastër, unë kam parë botën të dridhet nën thundrat e kuajve dhe flamujt osmanë të errësojnë diellin. Burrat luftuan me shpatë, gratë me lutje. Unë luftova me zemër. Burri im ra në betejë. Qyteti mbeti në mëshirën e fatit. Portat e kalasë u hapën natën, jo nga frika, por nga tradhtia.

Kur turqit hynë në kështjellë, unë hipa në “Kullën e Dashurisë”, me djalin e vogël në gji.

Ai flinte.

E putha në ballë dhe i fola për herë të fundit:

-Ti do të jetosh, biri im!

Trupi im u thye mbi shkëmb. Djali im ra mbi mua, si mbi një prehër guri.

Guri filloi të pikojë qumësht.

Qumësht nëne!

Qumësht jete!

Guri u bë nënë!

Guri u bë gji!

Guri u bë jetë!

Guri u bë liri!

Djali u rrit nga ajo pikë e bardhë që rridhte çdo mëngjes, si vesë nga zemra ime e shndërruar në shkëmb.

Qyteti më thirri emrin. Kështu u quajt Gjirokastra.

Argjiroja që u bë gur për të mos u bërë skllave!

U bë qumësht për të mos u shuar jeta!

Kur shiu lag muret e kalasë, mos mendoni se është ujë.

Është qumësht nëne!

Mina T. Qirici

Tiranë, 7 janar 2026