Vullnet Mato

Qiell pa fund, rrugë e amshimit të përbotshëm,
Goditur nga yjet, që thërrmohen me zjarrmim,
Rrugë, ku nisen miliarda tokësorë të përkohshëm,
Drejt parajsës qiellore, në udhëtimin pa kthim;
Rrugë ku nisen, ministra, presidentë, biznesmenë,
Hajdutë, trafikantë, mashtrues, vrasës të tmerrit,
Por pak arrijnë deri aty, ku mendojnë të venë,
Se shumica rrëzohen e digjen në zjarrin e ferrit.
Arrijnë në dyert e parajsës, të bardhat zemra,
Të njerëzve, që kanë bërë mirësi në këtë botë;
Ata që me dhimbje të thellë, i përcjellin nënat,
Duke derdhur për ta, përrenj të hidhur me lot…
Nëna ime e shtrenjtë, shkoi herët t’i lutet perëndisë,
Të më zgjatë jetën mua, të fundmit të Mato-janëve,
Të mbetur i vetmuar, nga shtatë emrat e vëllazërisë,
Që t’u thur elegji, të talentuarve të Sarandës joniane;
Me vargje që shkojnë qiellit, bashkë me re të bardha,
Kujtimet e vëllezërve t’i ndriçoj, derisa të kem jetë,
Për të mbetur gjallë, bëmat e aftësive të tyre të rralla,
Derisa ditët e mia, të më zgjati Mëshirëmadhi vetë…
Më merr të qarët, kur kujtoj bijtë e nënës, shtrirë përtokë,
Rreth supeve, ajo përkëdhelte shtatë vogëlushë të pa rritur.
Atë kohë nëna dukej, si një qenie mitologjike me shtatë kokë,
Kurse tani vend të tyre, ka mbetur, vetëm koka ime e thinjur..