
POEZI
Nga Panajot Boli
Sa shumë mall,sa shumë ….
Pas xhamit të dritares ngela këtë pasdite
Si një zog i përhumbur
Mes humbëtirës misterioze udhëtoj
Si të jem
Hija e Kostandinit me kalë
Arratisem në horizont
Ku ushtria e reve të zeza ka zenë pozicion
E raketa me shkreptima të zjarrta
Hedh frikshëm
Mbi armikun e padukshëm.
Degët e mëdha të pishës
Lekunden si varka në detin gri të egërsuar
Ca zogj nxitojnë të shqetësuar
Në ravijezimet e holla
Që skicojnë imazhet e mia
Pasdite me re në krah
Pasdite Prilli ku rri e mënduar heshtja
Pasdite me fytyrë të rrudhur
Nga re të lagështa
Të plumbta
Në xhamin e dritares
Një shtresë avull kujtimesh shtrohet si bora
Pa dashur gishtat shkruajnë
Me merak fjalët i qendisin
“Sa shumë mall,sa shumë…
Pasdite Prilli është
Me re muruze
E dhembshur gjer në dhimbje
Me mallin tulatur
Si prush nën hi
MIKPRITJE
Në prag të kopshtit e priti Prillin pjeshka
I hodhi mbi krye një grusht petalësh rozë
Dhe zëri i gjelit sot në mëngjes
Ishte më i ëmbël,më melodioz
Edhe hëna doli sonte më e bukur
Fosforente e tëra,si një sy magjik
Lugina veshi edhe ajo një fustan me lule
Kërcenin fluturat e lumi u bënte muzikë
Edhe mali hoqi gunën e tij të hirtë
Një jelek jeshil veshi me penj qendisur
Dritaret e fshatit u bënë më të gjera
E ftoi në oborr edhe trendafili i stolisur
I zgjati dorën edhe mikja ime sybukura
Në dorë t’i lidh një byzylyk prilli
Pak aromë i kërkoi për gushën e bardhë
Ta bëj principeshë të kaltër…si qielli