
Vullnet Mato
Në natën e qorruar,
Në qiellin e mjegulluar,
Në vuajtjet e fëmijërisë,
Në gjithë hallet e shtëpisë,
Fytyrën tënde shikoj...
Në tërë plagët e dhimbjes,
Në vitet e rimëkëmbjes,
Në yjet e ndritshëm,
Në mëngjesin e pritshëm,
Fytyrën tënde shikoj…
Në vetminë e djalërisë,
Në pyjet e largët të malësisë,
Në mallin tim të lotëve,
Në shtegun e dy botëve,
Fytyrën tënde shikoj…
Në portretet e etërve,
Në fotografitë e vëllezërve,
Në fytyrat e bijave, bijve,
Në pamjet e nipave të tyre,
Fytyrën tënde shikoj…
Në gjithë librat e shkruar,
Në gjithë vargjet e rimuar,
Në urimet e shokëve, shoqeve,
Në gjithë çerdhet e zogjve,
Fytyrën tënde shikoj…
Në çdo mendim të pashkruar.
Në trëndafilat e lulëzuar,
Në Sarandën tonë të Jonit,
Në shezlonët e ballkonit,
Fytyrën tënde shikoj…
Në gazin e fejesave, dasmave,
Në rrudhat e pleqve, plakave,
Në shuarjen prej kësaj bote,
Në ardhjen te parajsa jote,
Fytyrën tënde shikoj…
Moj e bukura nënë e paharruar,
derisa shpirti im,
me shpirtin tënd, të jetë bashkuar...