Shkruar nga Vladimir Duro
Në përgjithësi, në shkrimet e mia zbatoj një rregull të pashkruar…më parë se të shkruaj me dorë, “shkruaj” me mendje. Dhe i’a kam dalë të shkruaj pa shumë mundim, ato që “shkruaj” me mendje i hedh në letër dhe nuk u kthehem më mbrapsht.

Ndryshe po më ndodh këtë radhë, shkruaj me dorë ato që më parë i kam shkruar me mend dhe në moment e fshij përsëri…nuk më pëlqejnë, më duken fare pak dhe tepër të “varfëra” shprehjet e përdorura kur bëhet fjalë për profesoreshën Olimbi Dafa.
Nuk di nga t’ia filloj, nga vet Oli, fëmijë e “projektuar” për t’u bërë një yll në pamje e shpirt, apo nga familja që e solli këtë yll në jetë. Nuk do të ishte gabim kushedi çfarë në të dyja rastet, por sidoqoftë unë zgjodha të them paraprakisht tre – katër rreshta për familjen, njëra nga më të përkryerat në qytetin tim.
E cilësoj të tillë familjen e Olit ngaqë mirësia atje ishte ulur këmbëkryq te të gjithë dhe në shkallë sipërore, nga prindërit Enver e Sabire e me radhë te fëmijët…Osmani, Nazmiu, Oli, Sulua, Moza dhe Djana përbënin një buqetë lulesh që bënin krenar të mirët Enver e Sabire. Meriton të shkruhet për secilin prej Dafa-ve, por unë tani po hyj në temë… po sjell Olin në syrin dhe mendjen time.
Shprehem diku më sipër se Oli erdhi në këtë jetë si ‘fëmijë për të qënë yll në pamje e shpirt’ dhe kjo nuk është një superlativë, në rastin e saj është thjeshtë e vetëm konstatim i një të vërtete. Ata që e njohën Olin nxënëse, dhe sidomos në vitet e para të gjimnazit, me siguri do të pohojnë se si një vajzë yll e bukur mbartte brenda vetes një shpirt të pasur e të madh.
Nuk mund të harrohet kurrë përlotja e kuçovarëve gjatë recitimit të poezisë së mësueses së letërsisë, Olimbi Dafa, kushtuar pilotit ekselent Azbi Serani, rënë në krye të detyrës në datë 4 tetor 1972. Poezia ishte “bombë”, e denjë për koka të mëdha të letërsisë shqipe si Kadare e Agolli. Ishte ky rast një sprint i fuqishëm drejt majës së letërsisë nga mësuesja ekselente në gjithçka, Olimbia Dafa.
Vetëm 16 vjeçare, nxënëse në vitin e dytë të shkollës së mesme Pedagogjike në Tiranë, Oli boton në gazetën “Mësuesi” artikuj të shumtë si: ‘Mësuesi i dalluar’ – shkrim për Nito Lalën, ‘Metodat më efikase për mësimdhënien’, ‘Nxenësi i klasës time’, ‘Puntori i pa kursyer’ – një shkrim për Hysni Tahirin, ‘Traktoristja’ – kushtuar Xhevo Manxharit. Duhet theksuar se qysh në moshë të re Oli ka qënë e zgjedhur në grupin letrar “Almanaku i Beratit”, ku ka botuar shumë shkrime e midis tyre “Rrufe në derën e kinemasë”, shkrim humoristik për kinemanë e Beratit.
Pas përfundimit të së mesmes në Tiranë në vitin 1964, Oli shkon në Universitet për ‘Gjuhë – Letërsi’, të cilin e mbaron shkëlqyeshëm në vitin 1968 dhe po këtë vit emërohet mësuese Letërsie në Teknikumin e Naftës në ish Q.Stalin, ku punon me pasion e përkushtim për ta bërë sa më të bukur e të dashur këtë lëndë për nxënësit.
Në Teknikum Oli shpalos cilësitë dhe virtytet më të larta njerëzore dhe profesionale, duke u bërë kësisoj modeli i mësuesit të arrirë dhe letrarit të spikatur. Thjeshtësia, afrimiteti me nxënësit, mënyra e komunikimit, çiltërsia dhe dashamirësia ishin karakteristike për Të dhe nëse u shtojmë këtyre pasionin dhe talentin, kuptohet lehtë suksesi që e shoqëronte këtë mësuese të re.
Duke parë performancën e saj njerëzore e profesionale Oli emërohet Inspektore e Letërsisë dhe Gjuhëve të Huaja në Ministrinë e Arsimit, në vitin 1975. Këtu trajtohet si vlerë e shtuar, aset i çmuar që lë gjurmë në aktivitete të qenësishme të ministrisë si: kryetare e komisionit të hartimit të tezave të provimit të maturantëve të gjimnazit.
Gjithashtu ka kryesuar grupin e studimeve për Gjuhën Shqipe dhe Gjuhët e Huaja, ka qënë për 15 vjet korenspodente e gazetës “Mësuesi”, e pajisur nga ministria me autorizim për të hyrë në çdo shkollë në orën e mësimit dhe ka bashkëpunuar me Institutin e Studimeve Pedagogjike dhe Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, për përgatitjen e librave shkollor etj.
Oli Dafa hyn te të paktë njerëz që “jetojnë” dy kohë me të njëjtin intensitet dhe rezultat, atë të moshës së punës dhe atë të moshës së pensionit. Shumë pak kam shkruar për Olin e kohës së parë, aq sa, nëse do i thoja të gjitha ato çfarë meritonte ajo histori suksesi, nuk do të kishim para syve një shkrim facebooku, por, pa më të voglin dyshim, një roman të superkërkuar.
E megjithatë, për Olin si qytetare fisnike, për Olin patriote që e ndjen dhe mban në zemër Kuçovën si pak kush nga “soji” ynë, do t’i shkruaj edhe dy rreshta. Do të them se Oli ka ushtruar për 7 vite detyrën e nderuar të ndihmës gjyqtares në gjykatën e Tiranës, ka qënë për disa vite antare e kryesisë së partisë demokristiane, sikurse ka qënë pikë referimi për veprimtari të ndryshme të organizuara me gra e vajza kuçovare në Tiranë.
Nuk mund ta ndaj dot se cila pjesë e Olit ndrin më shumë, njerëzorja apo profesionalja, Oli njeri apo Oli e letërsisë. E them mirë në fillim të këtij shkrimi, yll në pamje e në shpirt, çka nënkupton flori si njeri dhe flori si letrare.
Te kjo pjesa e letrares duhet ta kem më të lehtë të shkruarën, jo ngaqë kam aftësinë t’i jap Olit atë që meriton, por sepse ajo njihet tashmë nga të gjithë, lexues normal e special, ata me koeficient inteligjences mesatar dhe ata me të tillë koefiçienti mbi normalen. Dhe të gjithë shprehin superlativa nga më të goditurat në poezitë apo prozën e saj, në artikulimin brilant dhe logjikën maxhore në interpretim.
Olin e kam njohur ka disa vite këtu në fb dhe më ka bërë përshtypje për modestinë e saj, për trajtimin me respekt e vlerësim të kujtdo që dashurohet me librin, me gërmat, me fjalët e me gjithçka tjetër që përmban “shtëpia” e bukur me emrin -Letërsi’. Ajo ka një prodhimtari të madhe, të shumëllojshme e shumë vjeçare në këtë fushë, nga mosha e rinisë e deri në ditët e sotme.
“Gjunjë ulur para fjalës”, “Në flatrat e kohës”, “Ironia e fatit”, “Ngujimi”, “Urim zemre”, “Je tingull pranveror”, “Ti erdhe eh çmall na ka mar”, “Damka që ju mbeti”, “Sofra e zemrës”, “Pavdeksia”, “Sida”, “Mos e luani këtë lojë”, “Hajde – blej vendin e punës”, “Rinisë”, “Presim”, “Vrastarja lozonjare”, “E kam babin deputet”, “Korrupsioni vret”, “Ditlindja” – janë disa prej titujve të pjesëve të shkruara nga Oli e që përfshijnë të gjithë gamën e fushave të ndryshme të jetës njerëzore.
Ndërkohë që ka dërguar për botim një përmbledhje me poezi të ndryshme, të titulluar “Lozonjarja vrastare”, Oli ka gati për botim edhe një përmbledhje me skica dhe poezi humoristike. Në “pronësi” të Olit janë edhe tre telenovela me tematikë të spikatur.
Olimbi Dafa bën pjesë te tipologjia e të gjithëpranuarve, janë të shumtë, dhe të gjithë ata që e njohin, që çmojnë e vlerësojnë Olin për atë çfarë ajo është në planin njerëzor dhe atë profesional. Ka midis tyre emra të njohur në masë për bukurinë e shpirtit dhe mendjes, miq të mirë të librit e shkrimit.
– Profesoresha më simpatike që kam njohur – thotë Mimoza Sinoimeri për Olimbi Dafën.
Ndërsa Leonora Canja, një tjetër kuçovare e staturës së Olit, diku shprehet :
“- …mësuese letërsie, kritike letrare, poete dhe prozatore e talentuar.”
Do të zgjatej shumë shkrimi nëse do të vijoja me të tilla prononcime për Olin dhe përsëri nuk do të arrija t’i jepja hakun asaj, ndaj po ndalem me kaq, me Norën dhe Mozën.
Në mbyllje të këtij shkrimi për njërën prej penave më të mira, njërën prej zemrave më të mëdha, njërën prej mendjeve më të ndritura, më duhet të ripohoj :
Për Olimbi Dafën, sado gjatë e bukur të shkruash, përsëri do mbeten shumë gjëra pa u thënë.