Shkruar nga Sami ARIFI-Rrëfim i përjetimeve dhe i aktiviteteve kombëtare të Selami Nezirit-Komandant Agronit

Rrëfim i përjetimeve dhe i aktiviteteve kombëtare të Selami Nezirit-Komandant Agronit (Pjesa e parë)

Selami Neziri-Komandant Agroni

i UÇK-së nga Skkatina e Poshtme

Komuna e Vitisë

Selami Elmi Neziri u lind, më 5 korrik 1972, nga prindërit Elmi dhe Sabrije Neziri, në fshatin Sllatinë e Poshtme-Komuna e Vitisë. Selamiu është vëllau më i vogël i dy motrave dhe pesë vëllezërve. Babai Elmiu dhe nëna Sabrije, jetën e tyre e kaluan nën hijen e represionit serbo-sllav në sfidat e një kohe mjaft të trazuar, por, asnjëherë të dorëzuar.

Babai Elmiu mbijetoi Masakrën e Tivarit në fundin e marsit të vitit 1945 gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB), e cila ishte një nga ngjarjet më tragjike të organizuar nga formacionet partizano-çetnike jugosllave të ndjekura nga ideologjia e Josip Broz Titos. Ky moment formësoi për babain, Hilmiun, karakterin e qëndrueshëm dhe përkushtimin ndaj mbijetesës dhe dinjitetit të tij.

Poashtu, edhe Nëna Sabrije, me prejardhje nga lagjja e Cakajve e fshatit Terpezë, përjetoi tragjedi po aq të rënda. Ajo përjetoi vrasjen e meshkujve mbi 14 vjeç të familjes së gjerë Cakaj, një akt që goditi rëndë dhe la plagë të pashlyeshme në kujtesën e saj fëmijërore.

Shtëpia e Elmiut dhe Sabrijes, për vite të tëra, u bë shënjestër e organeve të sigurimit jugosllav, duke u bastisur disa herë.

„Bastisja e parë ndodhi më 25 nëntor 1981. Në orët e para të mëngjesit, inspektorë dhe milicë shqiptarë të UDB-së, nën drejtimin e Refik Thaqit nga Kamenica, rrethuan shtëpinë. U arrestuan tre djemtë më të mëdhenj të familjes: Fehmiu, Muhabiu dhe Ganiu. Ky ishte paralajmërimi i parë i një periudhe të gjatë përndjekjesh“.

Bastisja e dytë ndodhi më 26 prill të vitit 1989. „Një ekip i përzier shqiptarësh e serbësh, i drejtuar nga Sadik Hajrullahu-Gërmovë dhe Kadri Fetahu-Vërban, u rikthye për të bastisur shtëpinë. Përsëri u arrestua djali i dytë i Elmiut, Muhabiu, tashmë për herë të tretë. Me që, herën e dytë ishte arrestuar në Ferizaj derisa ishte duke u kthyer nga puna për në shtëpi“.

„Bastisja e tretë ndodhi më 12 gusht 1989. UDB-ja e Ferizajt ndërmori një aksion tjetër, kësaj radhe me pjesëmarrjen, kryesisht të milicëve serbë. Milici shqiptar Naser Fazliu dëshmon se para nisjes, kishte marrë sugjerimin “për përforcime shtesë”, rrëfen Selamiu: me pretendimin se familja mund të posedonte edhe diçka më shumë se “literaturë armiqësore”. Në këtë bastisje u arrestua djali i madh, Fehmiu, i cili u torturua për tri ditë e tri net në Ferizaj dhe Viti“, ndërsa „bastisja e katërt ndodhi më 7 gusht 1993, e cila bastisje ishte më e rënda deri atëherë, nga se rreth 60 milicë dhe 5 inspektorë të UDB-së, të udhëhequr nga Nenad Popoviq, rrethuan shtëpinë, ku në këtë aksion të bastisjes u arrestua djali më i vogël, Selamiu, i akuzuar si pjesëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK)“.

Rrëfen Selamiu: „Bastisja e pestë ndodhi më 15 maj 1999, gjatë luftës së armatosur në Kosovë, ku shtëpia e familjes Neziri u bastis nga forca të shumta ushtarake serbe, të cilat rrethuan dhe mbushën oborrin me ushtarë të armatosur, duke krijuar atmosferën e një zone aktive lufte. Në këtë rast, asnjëri prej djemve të familjes nuk ishte në shtëpi, pasi që ndodheshin në mal, të angazhuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Megjithatë, disa persona që po strehoheshin në shtëpinë e tyre u keqtrajtuan rëndë nga këto forca ushtarake deri atëherë kur u përgaditën t’i arrestojnë dhe e kuptuan se nuk i takonin famijes Neziri.  Kjo, duke pasqyruar presionin dhe rrezikun e vazhdueshëm që u kanosej familjeve të lidhura me rezistencën shqiptare“.

Që nga 12 shtatori i vitit 1997, nata kur guerili i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Bislimi, gjeti strehim në shtëpinë e familjes Neziri pas tërheqjes së tij nga aksioni i armatosur kundër forcave serbe në Gerlicë, e deri në qershorin e vitit 1999, shtëpia e kësaj familjeje u shndërrua në bazën kryesore të UÇKsë për komunën e Vitisë dhe më gjerë.

Gjatë kësaj periudhe, shtëpia e tyre u bë një qendër e rëndësishme organizative e strukturave të rezistencës së armatosur, duke luajtur rol vendimtar në koordinimin e aktivitetit të UÇKsë në këtë rajon.

Po në këtë shtëpi të babë Elmiut dhe nënë Sabrijes u themeluan: njësiti i parë i UÇKsë për komunën e Vitisë, më pas Shtabi Operativ i UÇKsë, dhe, disa muaj më vonë, Shtabi i Brigadës 173 “Gursel dhe Bajram Sylejmani”. Kësaj radhe Protagonist kryesor i këtyre tri ngjarjeve të rëndësishme ishte vet djali i tyre më i vogël, Selamiu-Agroni, me këtë pseudonim të luftës.

Selamiu nuk i kishte mbushur ende 17 vite kur në pranverën e vitit 1989 po bëheshin demonstrata për demokraci në të gjitha qytetet në Kosovë. Të gjitha rrugët magjistrale ishin të mbushura me kolona makinash të milicisë serbe, të cilat qarkullonin sa në një qytet sa në një tjetër, për të shtypur demonstruesit paqësor shqiptarë. Kështu, një ditë erdhi lajmi se magjistralja ishte mbyllur në fshatin Ramjan dhe kolonat e makinave të milicisë mund të kalojnë edhe nëpër fshatin Sllatinë. Selamiu pa hezituar merrë biçikletën dhe me shpejtësi mbërrin në fund të fshatit, në rrugën për Pozheran, pikërisht te “Arat e Fushës” siç i quan fshati. Aty bllokon rrugën me gurë. Por, pak para se të përfundonte punën vëren nga larg një kolonë makinash të milicisë serbe që vinin në drejtimin e tij. Ai lë biçikletën dhe futet arave andej nga nuk mund të hynin makineritë e milicisë.

Milicia, në shenjë hakmarrje, shkelin biçikletën e tij me pizgauer-kamion, duke e shkatërruar të tërën. Ky ishte aksioni i parë i Selamiut kundër forcave serbe.

Një natë të vonë shtatori të vitit 1991, merr pjesë në aksionin për fshirjen e numrave të shtëpive të fshatit së bashku me Selim Frangun dhe vëllain e tij Muhabiun. Fshirja e numrave të shtëpive kishte për qëllim t’u krijojë vështirësi organeve të milicisë serbe në identifikimin e shtëpive shqiptare. Ky aksion bëri që Selamiu të trimërohet dhe të mendoj e të bindet se mund të bëjë edhe aksione të tjera.

Në muajin nëntor të vitit 1992 në shtëpinë e Nexhmedin Hajdinit në Trestenik themelohet „Grupi i të Rinjve“: Nexhmedin Hajdini nga Tresteniku, Avni Zejnullahu nga Ramjani, Avni Azizi nga Terpeza dhe Selamiu. Më vonë, këtij grupi i bashkohen edhe: Emin Maliqi nga Terpeza dhe Ramush Demelezi e Faredin Frangu nga Sllatina e Poshtme. Aksioni i parë i këtij „Grupi“ ishte shkrimi i dy trakteve dhe shpërndarja e tyre. Njëri trakt u drejtohet nxënësve dhe rinisë dhe e vendosin nëpër dyert e shkollave, ndërsa tjetrin ua drejtojnë pronarëve të bilardove dhe i vendosin nëpër dyert e lokaleve të bilardos.

Me themelimin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), në mars të vitit 1993, ky „Grup“ pa hezitim i bashkohet kësaj organizate.

Në fillim të muajit prill të vitit 1993, Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKCK) themelon Këshillin e Rrethit për komunën e Vitisë me një grup studentësh vitias në Universitetin e Prishtinës, anëtar i të cilit ishte edhe Selamiu. Kryetar i Këshillit ishte Nexhmedin Hajdini nga Tresteniku, pastaj, anëtarët e Këshillit ishin Avni Zejnullahu nga Ramjani, Emin Maliqi nga Terpeza dhe Selami Neziri nga Sllatina e Poshtme. Ndërsa Selamiu kishte formuar Këshillin Popullor në Sllatinë të Poshtme me: Ramush (Isa) Demelezin dhe Fahredin (Halil) Frangun.

Me qëllim të informimit të popullit për qëllimin e LKÇK-së, më 5 maj të këtij viti si në shumë fshatra të komunave të Kosovës ashtu edhe në disa fshatra të komunës Vitisë bëhet shpërndarja e Projekt-Programit nga ky grup.

Në valën e arrestimeve të anëtarëve të grupeve ilegale LPK dhe LKÇK, anë e këndë Kosovës, në korrikun dhe gushtin e vitit 1993, sigurimi sekret serb do të arrestojë edhe anëtarët e LKÇK-së në komunën e Vitisë: më 6 gusht arrestohen Nexhmedin Hajdinin dhe Avni Zejnullahun dhe të nesërmen më 7 gusht arrestohen Selami Neziri, Emin Maliqi dhe Hazbi Hyseni. Pas dy muaj qëndrimi në burgun hetues në Gjilan, ky grup do të dal para Gjykatës së Qarkut. Më 30 shtator 1993 dënohen të pesë vitiasit si anëtarë të LKÇK-së. Nexhmedin Hajdini, Avni Zejnullahu dhe Hazbi Hyseni me nga 4 vite burgim, ndërsa Emin Maliqi dhe Selamiu me nga një vit e dy muaj burg, të cilët, lirohen për mbrojtje në liri.

Një muaj më vonë Gjykata Supreme në Beograd ndryshon vendimin e Gjykatës së Qarkut të Gjilanit dhe fuqizon vendimin për të pestët me nga dy vite burg. Ndërkohë që, para se të konfirmohet vendimi, Selamiu arratiset ilegalisht nga Kosova dhe vendoset në Zvicër.

Gjatë gjithë kohës sa qëndron në Zvicër (nëntor 1993 deri shkurt 1998) Selamiu mbanë lidhjet me shokët e LKÇK-së brenda në Kosovë, dhe  merret aktivisht me organizimin e LKÇK-së atje. Ai ishte anëtar i Këshillit Qendror të LKÇK-së për Zvicër.

Në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së në Kosovë, që më 2 mars 1998,  i është komunikuar degës së LKÇK-së në Zvicër, u mjaftuan vetëm katër ditë, që Selamiu bashkë me një grup shokësh të niseshin më 6 mars 1998 për Kosovë me qëllim të organizimit të njësiteve guerile për rezistencë kundër ushtrisë pushtuese serbe: Blerim Zhabari nga fshati Novolan i komunës së Vushtërrisë, Besim Beqiri nga Radivojci i komunës së Vitisë dhe Mehmet Isufi nga Vushtërria. Më 8 mars 1998, në Tiranë, ata bashkohen me anëtarë tjerë të LKÇK-së nga Gjermania dhe Shqipëria (Jashar Jashari, tani dëshmor, nga Strofci i Vushtrrisë, Blerim Dervishaj nga Prishtina, Ali Jonuzi nga Vushtrria dhe Murat Ajeti nga Podujeva) dhe nisen për në Kosovë nën drejtimin e Fatmir Humollit, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së.

Gjatë rrugës, në afërsi të Krumës, i gjithë grupi arrestohet nga Shërbimi Informativ Shqiptar. Pas ndërhyrjes së Sabit Gashit (anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LKÇK-së) nga Prishtina, grupi lirohet. Vonesa e krijuar nga SHISH-i bëri që grupi të mos ndihej më i sigurt dhe u detyrua të kthehej në bazën e LKÇK-së në Durrës.

Nga 9 marsi deri më 9 prill 1998, Selamiu qëndron në njërën nga bazat e LKÇK-së në Durrës, ku trajnohet teorikisht, fizikisht dhe ushtarakisht, me qëllim që të marrë përgjegjësi në zgjerimin e luftës së armatosur në Kosovë.

 Në mesnatën e  10 dhe 11 Prillit 1998, Selamiu së bashku me një grup prej 23 luftëtarësh kalon kufirin Shqipëri-Kosovë përmes bjeshkëve të Pashtrikut dhe vendoset në lagjen Balaj në Doberdelan.

Grupi udhëhiqej nga Abedin Balaj-Rama nga Doberdelani i Suharekës:

1. Blerim Zhabari – Dritani nga Novolani i Vushtrrisë. Anëtar i LKÇK-së

2. Ejup Maqedonci – Agroni nga Prishtina. Anëtar i LKÇK-së

3. Blerim Dervishi – Lumi nga Prishtina. Anëtar i LKÇK-së

4. Agron Xhemajli – Agimi nga Shkabajt e Prishtinës. Anëtar i LKÇK-së

5. Beton Retkoceri nga Prishtina. Anëtar i LKÇK-së

6. Jashar Jashari – Strofci nga Strovci i Vushtrrisë. Anëtar i LKÇK-së(Dëshmor)

7. Mehmet Jusufi – Isa nga Vushtrria. Anëtar i LKÇK-së

8. Selami Neziri – Agroni nga Sllatina e Poshtme e Vitisë. Anëtar i LKÇK-së

Dhe vullnetarë të tjerë.

———————————–

Intervistë shterruese e realizuar me shkrim, më 17/ 01/ 2026,

me Selami Nezirin (1972)-Komandat Agroni i UÇK-së, nga Sllatina e Poshtme

Shkruan: Sami ARIFI