Shpirti i Poezisë-Adifete Shiti

Shpirti i Poezisë

Shkruajmë prozë e poezi

me dashuri për fjalën e bukur,

unë një varg – ti një tjetër,

si dy zogj që gdhendin strehën

në degët e kujtesës.

Unë një shkronjë – ti një fjalë,

si shqipja që lartësohet

në qiellin e mendimit.

Çdo varg është një fije drite

që lidh zemrat me përjetësinë,

çdo pikë loti – dëshmi

se ndjenja ka marrë formë.

Nga heshtja lind metafora,

nga vuajtja – kuptimi,

dhe arti bëhet strehë

ku njeriu e gjen veten.

Nga pena e vogël

deri te romani i madh,

rruga e poezisë është udhëtim

i shpirtit përmes fjalës.

Ca vargje lindin nga ëmbëlsia,

të tjera mbartin dhimbje e mall,

e një pikë loti shoqëron çdo rresht,

si për të kujtuar se arti jeton

aty ku ndjenjat marrin zë.

Ne jemi rrënjët e këtij trungu poetik

ku fjala nuk është thjesht tingull,

por jetë, kujtesë e dritë,

që i reziston erës së harresës

në çdo epokë të njeriut.

Dhe ne, me gjurmët tona në letër,

i japim frymë fjalës

që të lulëzojë edhe kur s’jemi më.

Adifete Shiti ©

Tetor,2025

Dardani 🇽🇰