Shqipëria që duhej të ishte dhe Shqipëria që është- Ervina Toptani

Ervina Toptani

Shqipëria që duhej të ishte dhe Shqipëria që është

Ekziston një distancë e pakapërcyeshme ndërmjet një kombi si ideal dhe një shteti si realitet. Në ditë si kjo, kur flamuri valëvitet sipas ritualit vjetor, njeriu shtrohet përballë një pyetjeje të vjetër sa vetë mendimi politik:

Si ka mundësi që realiteti i një shteti të devijojë kaq shumë nga premtimi i tij themeltar?

Në historinë shqiptare ekziston një paradoks i heshtur. Ajo u ndërtua nga njerëz që besonin thellë në idenë e lirisë, jo vetëm si pavarësi politike por mbi të gjitha si mundësi njerëzore. Mes tyre ishin edhe familjet që mundësuan Pavarësinë e Shqipërisë, një ndër më të rëndësishmet për kohën, familja Toptani.

E megjithatë, Shqipëria që duhej të ngrihej mbi sakrificën e atyre njerëzve nuk u materializua kurrë. Aty ku duhej të kishte institucione të drejtësisë u krijuan mekanizma arbitrariteti. Aty ku duhej të kishte memorie kolektive, u instalua harresa. Aty ku duhej të kishte mirënjohje pati vetëm përdhosje, fillimisht nga totalitarizmi pastaj nga një formë më e butë, por po aq e dhimbshme e manipulimit postkomunist apo pseudo-demokratik, pse për mua në thelb emërtimet s’kanë aspak rëndësi sa kohë kuptimi mbetet i njëjtë.

Në këtë kuptim, Shqipëria “moderne”nuk është thjesht një realitet i dështuar, ajo është një koncept i keqinterpretuar. Ajo vazhdon të funksionojë jo mbi bazën e dijes dhe të së vërtetës historike, por mbi bazën e një versioni të reduktuar të vetvetes, ku meritat e të parëve fshihen ende sot sikur në komunizëm me qëllimin e vetëm që këto familje mos ta ngrejnë kokën kurrë e të vazhdojnë të jenë sikurse në komunizëm, të vjedhur, të vjedhur, të vjedhur.

Çfarë ndodh, kur një familje që i ka shërbyer për shekuj kombit, Atdheut, shtetit përfundon e zhveshur nga pronat, pjestarët e saj të hequr nga puna (si rasti im konkret në Shqipëri kur më hoqën nga puna me pretendimin se “keni probleme me mbiemrin zonja Toptani”. Ndoshta jam e vetmja që jam hequr nga puna në Shqipëri në bazë të Nenit 55, vite pasi ky Nen nuk ekzistonte më!) e detyruar të kërkojë drejtësi për çerek shekulli në gjykata?

Ndodh diçka thelbësore: vetë ideja e shtetit shqiptar vihet në pikëpyetje epistemike

sepse një shtet që nuk i njeh të vërtetat e veta nuk mund të pretendojë të ndërtojë të ardhmen.

Një shtet që nuk di kujt i ka borxhe, s’mund të dijë as çfarë të ardhmeje kërkon.

Një shtet që lindi falë atyre që dhanë gjithçka, por sot i sheh ata si pengesë, ka humbur kompasin moral.

Shqipëria që duhej të ishte, ajo e vizionit të 1912-s, do të ishte një truall ku historia e sakrificës mbrohej si pasuria më e madhe. Ku e drejta mbi pronën, punën, dinjitetin dhe kujtesën nuk do të rrëzohej nëpër korridore gjyqësore për 25 vjet. Ku largimi nga Atdheu nuk do të ishte akt detyrimi, por zgjedhje personale e secilit.

Shqipëria që është sot, në kontrast, vazhdon të mbijetojë mbi improvizim, ndërkohë që bijtë e saj largohen, largohen çdo ditë. Në këtë kuptim, festën e flamurit nuk e shoh më si ditë gëzimi por si ditë meditimi:

Si mund të valëvitet flamuri i një vendi të lirë kur shtetasit e tij ikin prej mungesës së të drejtave më themeltare, ajo e punës, e pronës, e legjitimimit?

Një komb ripërtërihet duke njohur, duke pranuar, dhe duke vepruar mbi të vërtetat e tij e kurrsesi nuk përtërihet nga harresa e nënshtrimi.

Derisa e drejta të mos jetë më privilegj por premisë, Shqipëria do të mbetet peng i farsës së vet politike.

Gëzuar ditën e Flamurit më të bukur në botë!