SHQIPONJA TË DARDANISË (Kosovaret)
Nënë shqiponja që s’trembeni,
jeni si yje që ndritni në tokë;
jeni agime, jeni flamurë,
që ndryshoni e zgjoni një botë.
Vend i bukur është Dardania,
dritë, shkëlqim e krenari;
aty lindin vashat dardane,
që në zemër janë Shqipëri.
Janë lule me zë malesh,
ndritin e falin veç oksigjen;
dritëzojnë me vesë petalesh,
si engjëj që shkëlqejnë.
Si thëllëza lëshojnë zërin,
ngrohin me fjalë e qeshin me sy;
veç atdheun kanë të vetin,
në shpirt thellë e mbajnë aty.
Si nëna prej Shqipërie!
Ah, ç’i pashë në ëndërr mbrëmë!
Me ca zjarr prej vajzërie,
më dhanë shpresë e më dhanë këngë.
Më dhanë male plot me lule,
mbushur ajri trëndelinë;
më dhanë zjarr e tinguj gjuhe
që rilindin Shqipërinë.
Dhanë flamurin që s’përkulet,
dhanë shqiponjën krahëgjerë;
herë bëheshin njësh me lulet,
herë më shfaqnin Skënderbenë.
Lum ju, bija prej Kastriotësh!
Lum ju, engjëj-mbretëresha!
Jeni shqiponja që s’mund të heshtni,
mbushur dritë e veshur shpresë.
Lum Dardania që ka bija!
Lum Kosova – tokë qëndrese!
Emrin Shqiptar kanë identitet,
s’e ndryshon as furtunë, as mbret!
NË NDERIM TË IBRAHIM RUGOVËS!
Tung, or mik që nuk vdes kurrë!
Tung, Rugovë, Pejë e Kosovë!
Ta njeh koha këtë burrë,
Bjeshkë të Namuna mban kurorë.
Vij, të sjell nga Myzeqeja
zemrën time si shqiponjë
brenda është gjithë Shqipëria
të nderon, bëhet më zonjë.
Unë kam mbledhur fushës gjerë,
gjithë ngjyrat shpirt e jetë.
Me nderime t’i kam sjellë,
Peja t’i ketë si buqetë.
Jemi një e të pandarë,
kohët trupin na kafshuan.
Jemi bashkë, o shqiptarë!
Shkja a serb dot nuk na shuan.
Gjëmon bjeshka nga tupanet,
Hajla tundet, ulëret:
S’vdesin kurrë kosovarët,
me Rugovën President!
Krahët mban Evropa hapur,
‘’Deklaratë e Pavarësisë’’,
shkjaun tutje e ka flakur,
s’vdes shqiponjë e Shqipërisë.
Nëpër kohë kemi ecur,
të përgjakur, vrarë e prerë;
Po lirinë e kemi dashur
s’kemi vdekur asnjëherë.
Se Kosova ka veç trima;
Lind e rrit burra lirie…
…mbushet Hajla vetëtima;
Bëhen penë Pavarësie…
Unë të sjell nga Myzeqeja,
një kurororë Shqipërie!
Le të ndrijë, gjëmojë, Peja,
si shqiponjë me krahë lirie.
*Hajla është maja më e lartë e Bjeshkëve të Namuna në Pejë.
Autore: Sheqere Sina Albania
Tè drejtat janè tè autorit !
Data 18 02 2026
Shqipèri !