S’na u nda ky mallë nga shpirti-Hajri Lamaj

Hajri Lamaj

 
================///======
Kam një mallë për një këngë labe
Të këndoj ashtu siç di
Por, s'kam njerëz të më mbajnë iso
Më mungojnë shumë shokët e mi.
Mallë kam për një dasëm fshati
Ashtu si bëheshin dikur
Me gëzimin e gjithë familjes
Çelte dhe lulja mbi gurë.


Dua të shoh një valle burrash
Hedhur bukur mbi sini
Brenda valles kish mesazhe
Për një besë në k’të miqësi.


Kam një mallë për këngën e shtruar
Nënat tona e këndonin
Ne, fëmijtë, varur në dritare
Me shumë ëndje i dëgjonim.


Mallê kam dhe për ato vajza
Bukur vallen kur e hidhnin
Djemve, me një shkelje syri
U thoshin ” Në livadh na prisni !”


Ku, shkuan të bukurat dolli
Që ngrinin pleqtë pranë oxhakut ?
Na bënin dhe ne të ftuarve
Të ndiheshim si lidhje gjaku.
Ja , për këto dhe shumë të tjera
Malli, shumë,mua më ka zënë
S'i gjej dot sot ata njerëz
Dhe me 'to të marr një këngë.