Të jesh studente nuk është pak-Eli Kanina

Eli Kanina

TË JESH STUDENTE NUK ËSHTË PAK

Bija ime!

Nuk janë për ty pseudodhjetorët

Por për ujqër që hanë njerëz

E njerëz prej tyre, s’mund të lindin as dhjetorët

Ti mos u bëj mjegulla

Ku ujqërit të ndërrojnë qimen

Bjerë përmbys mbi libra më mirë

Struku auditoreve e bibliotekave

Pavarsisht kushteve, vetes vëri kusht

Dijes t’ia shtysh kufijtë

Së pari në libra, në mendje e me sytë e mendjes

Më pas fizikisht, edhe me raketë në mundsh

Bridhe botën për ta mbartur brenda vetes

Botën tënde ta ndërtosh siç e dëshiron

Ta jetosh veç me dimensionin e vlerave të tua.

Bija ime!

Ti as që ke nevojë për Dhjetorë

Gjithë muajt e vitit tek ty gjejnë strehë

Dhjetorëve u duhet besimi yt naiv, fjala jote

Me energjinë tënde prej tërmeti

Dhjetorët ngrenë e shtrojnë tapete

Për heronj dhe lidera të rremë

Mos u bëj tapet të nëpërkëmbesh prej tyre

Të kam cipë dëbore mbi maja malesh

Mos u përdhos në gardhe bulevardesh

Ortek drejt librave, uragan të bëhesh e mos ndalësh.

Bija ime!

Dhjetorët janë fillimdimrash që s’të duhen

Gënjeshtrat kur gëlojnë si gështenjat

Portokallet nisin të marrin shije hurmash

Individët, trajtë turmash…

Ti nuk je as anonime, as thes justifikimesh

Je pikëvese mbi gjemb trëndafili

Dija jote nuk ka ngjyra partie, çmim a vlerë monetare

Ka cilësinë e librave që shfleton e testohesh

Pavarsisht kushteve dhe mundësive, ti zgjidh

Të jesh më e mira, në mundsh mes të parëve.

Bija ime!

Unë s’mund të tregoj për pseudodhjetorët

Ç’kuptim do të kishte, që të silleshe si unë?

Kur pres tjetër gjë prej teje, ti je kaq shumë

Në magjen time të ëndrrave, e vogël dhe e thjeshtë

S’e nxë dot jetën tënde, prej ëndrrash bymuar

Teknologjia mençuron, por s’bën diferencën

Me status studenti ti mund të duash të pamundurën

Të ëndërrosh di, por jo të vendosësh vulën

Aty ku me tharmin tim të poqa aq sa munda

Nëse të duhet një magje, prej meje mos prit, krijoje

Gjithmonë do ketë mungesa, edhe justifikime

Ja që papërsosmëria përndjek egon njerëzore

Mëso sesi të kesh tënden një Botë, por jo me teka

Zgjidhjet e halleve njerëzore, edhe zgjedhjet

Janë sprova jete dhe jo petulla.

Bija ime!

Ti mundesh të studiosh e vetëm të studiosh

Pasi nga universi i librave, më e ditur të dalësh

Ti vetë mund të zgjedhësh referencën

Folezë të kesh në jetë, apo kështjellë të florinjtë

Mirënjohëse ose jo, të dish për eksperiencën

Në emër të saj të flasësh, ligjin ta bësh e t’i bindesh

Për mua dhe askënd të mos e shesësh veten

Jetën ta bësh libër, e si në libra ta shijosh jetën.

Bija ime!

Në mundsh ti japësh kohës, gjithë kohën

Fytyrën tënde

Mëndjen tënde

Votën tënde

Vlerën tënde

Veprën tënde

Kohës nuk i duhen më pseudodhjetorë

EMRI yt, është dhjetori yt …

ELIVERTA

Kjo poezi, nga libri im “Pronare qiejsh”, e krijuar në dhjetor të 2018, kur ime bijë ishte studente, mbetet aktuale edhe për gjithë pseudodhjetorët e tjerë në vazhdim … edhe sot, do të doja tu bëja tag, të gjithëve që më komentuan si mosbesuese për atë protestë studentësh atë vit … vazhdoj të mbetem vizionare, dhe largpamëse, përtej mungesave e fenomeneve sociale, se LIBRI dhe STUDIMI, mbeten udha e vetme drejt një shoqërie më të mirë… “ Mos thoni asnjëherë se dijet kushtojnë, se injoranca kushton shumë më tepër “ shkruan OBAMA