Të pavdekshmit-Tahir Boçi

Ata po ikin njeri pas tjetrit,
Artistët viganë të vendit tim,
Për ca, testament u bë skena,
Për të tjerët një sheshxhirim.

Po ikin lartë si ëngjëj në qiell,
Por në tokë shpirtin e lënë,
Pasurinë që pa kusht na falën,
Bankat dot nuk mund ta nxënë.

Hollywood – i zili i kishte,
Këta modestë madhështorë,
Lot na rrëmbenin për rolin,
Dhe barkun mbanim me dorë.

Jo,nuk vdes Jovan Bregu,
Teto Ollga do ketë moshën e malit,
Nënë Pashakua veç na frymëzon,
Akoma qajmë për “Vdekjen e Kalit”.

Topi i Matos në vesh na kumbon,
Sikur edhe “Dy krismat në Paris”,
Përzihet troku i kuajve drejt Vlorës,
Ku shkonin firmëtarët e pavarësisë.

Ca dritëshkurtër duan ta varrosin,
Artin që si komb na bën krenarë,
Ata që për çensurën rrëzuan buste,
Po bëhen për tu qeshur e për tu qarë.

Si kripa në gjellë batutat e tyre,
Çertifikatë janë për pavdekësinë,
Me ëndje i themi kudo që jemi,
Në park,autobus apo në tavolinë.