Testamenti i dritës-Alma Begaj

TESTAMENTI I DRITËS

Alma Begaj

 
Përvëlohem për pak dije
Shuhem krejt kur e përcjell
Rindizem si shkarpat në dimër
Për të ngrohur të tjera jetë!


Nuk jam qiri që tretet në heshtje,
As hije që vdes në harresë,
Jam ura ku shkel rinia me shpresë,
Për të gjetur të nesërmen në jetë.


Se dija s’ka fund, as fundi s’ka dhimbje,
Kur mbillet si farë në shpirtra të rinj,
Unë bëhem hi, që ata të kenë rritje,
Dhe digjem sërish, si zjarr pa kufij!


Nuk kërkoj falje që digjem në tretje,
As lëvdata që thurren pas vdekjes,
Më mjafton një dritë në sytë e fëmijëve,
Si dëshmi e gjallë e kësaj përpjekjeje.


Se asgjë nuk humbet në hirin e shenjtë,
Ku fjala e ngrohtë gjen strehë e fole,
Unë jam vetëm udha, jam guri i heshtur,
Që hap horizontet mbi këtë tokë e re!


Dhe kur nata të ulet mbi supet e lodhur,
E hiri të ftohet në vatrën e vjetër,
Mos qaj për atë që koha ka korrur,
Se drita ime ka kaluar diku tjetër.


Jam fryma që ndizet në çdo mendje të lirë,
Jam shkëndija që thyen çdo prangë e zinxhir,
Sa herë të ketë errësirë e vështirësi,
Do zgjohem te ju me më shumë dashuri!


Nuk jam më unë që flas në këto rreshta,
Por zëri i shekujve që vijnë e që shkojnë,
Jam dora që mbolli kur s’kishte korrje,
Dhe ëndrra që zgjohet kur të tjerët gjumojnë.


Ndaj digjem e rritem, në një tjetër formë,
Në pyllin e mendjes, në çdo të vërtetë,
Se ai që dha dritë, nuk njeh më rënie,
Por mbetet i gjallë, në çdo frymë, përjetë!


Mos pyetni për emrin që koha e fshiu,
As për thinjat e bardha nën këtë dritë hëne,
Jam vetëm një shenjë që errësira e lindi,
Për të qenë derë e hapur në prehër nëne.


Dhe kur të mos mbetet as frymë, as fjalë,
E trupi të kthehet në pluhur e hi,
Do ndihem në ajër, si një këngë e rrallë,
Që zgjon te çdo zemër të madhen liri!


E nëse vijnë breshëri dhe erë e tërbuar,
Që flakën e vogël duan ta shuajnë me dhunë,
Unë bëhem vullkan, në shpirt e përvëluar,
Për të mbrojtur të vërtetën, që s’vdes kurrë!


Se nuk ka rrebesh që mbyt një dëshirë,
As natë të gjatë që dritën e mposht,
Sa më shumë të fryjnë, më shumë bëhem e mirë,
Në këtë luftë të egër dijesh, s’ka kurrë rënie poshtë!


Dhe kur çdo gjë të heshtë e t’i kthehet qetësisë,
Nën tokën e butë, mes rrënjësh e sythash,
Unë do të jem vlera e çdo mirësie,
Që çel si lule pas dimrash të ftohtë.


Nuk ka fund ky udhëtim, as harresë nuk ka,
Për atë që shpirtin e dha si dhuratë,
Jam dielli që lind, jam ylli që pa,
Se jeta mbetet një dritë e fuqishme, e gjatë!


Më kërkoni te rrënjët që thellë tokën mbajnë,
Aty ku historia ushqen çdo degë të re,
Jam gjaku që rrjedh e dhimbjet i ndajnë,
Për të mbajtur gjallë këtë truall, këtë atdhe.


Rrah si një zemër në kraharorin e botës,
Me rregull e vrull, pa u ndalur asnjë çast,
Jam drita e mendjes që i turret së kotës,
Për të gjetur të vërtetën në çdo skaj e rast.
Dhe kur ky shpirt të marrë flatrat e hënës,
Për t’u bërë yll a shkëndijë në hapësirë,
Do kuptoni se djegia qe qumësht i nënës,
Për të lindur të shtrenjtën, të shenjtën shpresë!

©️Alma Begaj

26.12.2025