Ti nuk je thjesht një ëndërr-Adifete Shiti

Ti nuk je thjesht një ëndërr.

Je një realitet që më shfaqet çdo ditë,

në hapin tim, në frymën time,

në atë boshllëk që nuk mbushet dot

as me afrim, as me shmangie.

Je histori më vete.

Me ty zgjohen kujtimet e ditëve të mira,

kur pranvera na thërriste butë,

t’i shijonim rrezet e para të diellit,

të humbnim dorë për dore buzë liqenit,

duke besuar se e nesërmja

do të ishte më e ndritshme se djeja.

Por koha na shpërndau në dy brigje,

si dy stinë që nuk takohen kurrë plotësisht.

Ti mbete larg, si ëndrra që zgjohet

por nuk rikthehet më.

Unë mbeta këtu,

duke ruajtur gjurmët e tua në shpirt,

si gjethet që mbajnë aromën e pranverës

edhe kur era i shpërndan larg.

Dhe unë prapë do të pres.

Si shtegtarët që kërkojnë ngrohtësinë,

duke shtegtuar mbi pyje e kodra,

duke ecur drejt çdo dite të re

si pas çdo dimri të acartë

që sjell një lindje tjetër drite.

Adifete Shiti ©

Nëntor,2025

Dardani 🇽🇰