






TODI LLAZAR BOZO…
Lindi më 27 prill 1934, në një familje patriotike, babai i tij Llazar Bozo një figurë madhështore e trevës së Myzeqesë me një histori të pasur në lëvizjen për mbrojtjen e trevave Shqiptare e me kontribut në shpalljen e Pavarësisë, një nga firmëtarët e trevës së Myzeqesë. Patrioti Llazar Bozo do të dilte në mbrojtje dhe do të shoqëronte Ismail Qemalin në kalimin e zonës së Myzeqesë deri në Vlorë ku më 28 Nëntor 1912, do të kurorëzonin me sukses Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në vitin 1920, babai i tij Llazari ishte në komisionin nismëtar të Kongresit të Lushnjës dhe njëkohësisht edhe delegat, ku dha një kontribut të çmuar në pёrfundimin me sukses të zhvillimeve të këtij Kongresi. Kontributi i patriotit Llazar Bozo dhe fëmijëve të tij, do të vazhdonte pandërprerje deri në luftën për çlirimin e Shqipërisë dhe më pas në rindërtimin e vendit. Fëmijëria e Todit, kaloi në Kolonjë në fshatin e tij të lindjes, në rrëzë të kodrës ku ndodhet Manastiri i Ardenicës. Mes vuajtjeve dhe përndjekjeve nga pushtuesit gjermanë dhe pas përndjekjes dhe qëndrimit në ilegalitet, do të kthehet përsëri në fshat. Shkollën fillore e vazhdon në Lushnjë me mësues Riza Rançi, për të cilin ruante respekt për figurën e dashur të tij. Më pas vazhdon gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, ku do të dilte me rezultate të shkëlqyera dhe do të shkonte për studime në Moskë në Universitetin Kinematografisë “V.G.I.K.”, për producent filmi duke dalluar si një ndër studentët më të mirë.
Më 1959, fillon punë në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku do të jetë bashkë producent në filmin e parë artistik “Furtuna”, një prodhim i përbashkët me Kinostudion “Mosfilm” të Moskës, me skenarist Fatmir Gjata dhe rusi Pervencev si dhe regjisor Kristaq Dhamo dhe Juri Ozerovsi, një nga regjisorët e njohur Rus. Në mjaft filma do të jetë Drejtor filmi si “Debatiku-1961, “Detyrë e Posaçme”-1963, “Vitet e para”-1965, “Oshëtimë në Bregdet”-1960, “Ngadhënjim mbi vdekjen”-1967, “Plagë të vjetra”-1960. Pasi mbaron studimet pas Universitare diplomohet Regjisor dhe realizon skenarin dhe regjinë e filmit “Lugina e Pushkatarëve”-1970. Për gati 10 vjet nga viti 1971 do të kryente detyrën e N/drejtorit të Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe njëkohësisht do të merrej me kualifikimin e studentëve nëpërmjet leksioneve dhe përvojes së fituar ngas studimet në Moskë.
Më pas do të vazhdojë si regjisor në filma dokumentarë, ku mbi 30 filma të tillë mbajnë autorësin e tij si “Noli ynë”, “Ditë plot diell”, “Peisazh me mollë”, “Shkripëzimi i tokave”, “Shtegëtimi”, “Moj e bukura Arbëri”, “Këngët e zemrës”, “Drejt kuvendit pluralist” etj. Pas daljes në pension bën një jetë të pasur aktive, duke vazhduar të japë leksione në Akademinë e Arteve dhe në Akademinë e filmit e të Multimedias “Marubi”. Ka një bashkëpunim me regjisorin Kujtim Çashku në filmat artistik “Kolonel Bunkeri”, “Syri Magjik”, ku do të jetë producent ekzekutiv, për të vazhduar me filmin “Kronikë provinciale”, me regjisor Artan Minarolli dhe filmin “Koha e Kometës”, me regjisor Fatmir Koçin, filma këto të realizuara me partnere perëndimor.
Është botues i librit “Produksioni i filmit”, një libër profesional e shkencor, për organizimin e teknologjinë e prodhimit të filmit dhe më pas librin “Copëza kujtimesh të ëmbla dhe të hidhura”, që bën fjalë për jetën e tij dhe për mjaft episode të historisë së punës me filmin. Artist i Popullit Kristaq Dhamo në 75 vjetorin e regjisorit Todi Bozo do të deklaronte…. “Kineasti që kaq shumë i ka dhënë kinematografisë shqiptare.
Nëse dikush skicoi dhe hodhi lopatat e para të ndërtimit të trasesë së filmit shqiptar, si prodhim e industri, ishe ti Todi që e çimentove këtë trase, shtrove shinat dhe e drejtove lokomotivën e prodhimit drejt profesionalizmit të vërtetë”. Vlerësime për të kanë bërë edhe shumë artistë, nxënës e kolegë të tij si Kujtim Çashku, Petrit Beci etj. Ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhërat “Naim Frashëri”, të klasit të Parë, të Dytë e të Tretë, me Urdhërin “Për veprimtari të Shquar Shtetërore e Shoqërore, si dhe në vitin 2012 me Urdhërin’’Mjeshtër i Madh’’. Ndërroi jetë më 4 shkurt 2018.