Trishtohen lulet nga marsi i hidhur-Albert Habazaj

 

 

Në kujtim të tragjedisë së 28 Marsit 1997 në kanalin e Otrantos me përmbytjen e Katërit të Radës

 

Albert Habazaj

 

Trishtohen lulet nga marsi i hidhur

Dhe bregu bregut i mban mëri,

Për jetët pa faj që thellë kanë ikur

Vyshken lulet nga ai mars i zi.




Përvitshëm, kur vjen njëzet e tetë marsi

Rituali i pikëllimit nxin nga ritet mortore,

Sa thonë që Otrantos buza e shpirti i plasi

Sa thonë që dhe dallgët ndihen fajtore.




Të pafajshmit ata që i hipën ëndrrës

Dhe u bënë qivure në fund të detit,

Nga drithërima ime dhemb refren i këngës

Nga harrimi, nga heshtja rrëqethëse e shtetit.




Përditë në monument të memories ata

I kemi me frymën tonë fatkeqët në gjëmë,

As nënat shamizeza, as Shqipëria s’u dha

Nuk thahen lulet, se në kopsht kanë rrënjë.

 

Vlorë, e premte, 28 Mars 2026