Unë-Klodiana Çobo

Klodiana Çobo

UNË

Ta hedhim një bast, si në kumar,
E dorë e humbur s’bën çudi.
Në fitoj, do qajmë si kurrë më parë,
Në humbas, do qeshim unë e ti.

E di, s’kupton, propozim absurd,
S’jam aq bohem për ruletë, e di.
Në jetë do prisja veç fitore,
Por humbja, jo, nuk është risi.

Në qoftë diell kur të agojë,
Kurorë të kem rrezet e tij.
Në qoftë shi, më lër të shkoj,
Me gotë zjarri të ngre dolli.

Fustan të kuq veshur për festë,
Do hedh parfumin që më mirë më rri.
Në qoftë jeta kazino,
Do rrezikoj sa kam mundësi.

Trenin që s’e humba, çastet që mblodha,
Ndjenjat që thellë kam përjetuar,
Me taka të larta zhurmë shkaktova,
E nëse s’më pe, më ke dëgjuar!