Vendlindja ime!Shqiponja Pazaj Veshaj

Më thirr në agullim, vendlindja ime,

Pa zbardhur drita ende përmbi dhe,

Se nata të përpin e s’bën lëshime

Fshihu thell në sytë e mi, e mos u ndje!

Po ftohen netët, gjethet e rëna,

Shpotitin ëmbël vitet një nga një,

Paçka se dimër vjen e terret hëna,

Ti brenda meje ende qesh me zë!

Të shoh matanë ku gryka thyen,

Aty ku renë e mugët patëm vrarë,

Dremit ky malli im e lotët bien,

Dhe nis e çel sërish një rrap i tharë.

Në degë kujtimesh plot me zogj,

Nën k’të rrap të lashtë, erdhi prapë

Gjyshi im i moçëm, teksa thotë:

“Bekuar qofsh, moj bij, nga kjo baltë!”

Dhe nis tregon me gaz një këngë,

Për baltën – mëmë që ju bë djep,

Në vargun tim ka hedhur rrënjë

Prandaj dhe shpirtin nuk e jep!

Po si ta jap, kur daltë’e penës,

Gërmon k’të baltë dhe zë e qan,

Tek rrinë me radhë brenda zemrës

Plot nur’ e hir’të parët tanë!

Më thirr në agullim, o toka ime,

Atdheu im që rrudha mban mbi sy,

I gjallë do gjendesh prap mbas vdekjes

sime,

Ti dhe shpirti im …… të dy!